Bota Gjyqi kundër Trump: Kush janë lojtarët kyç të dhe si do të...

Gjyqi kundër Trump: Kush janë lojtarët kyç të dhe si do të funksionojë procesi

Zërat demokratë për shkarkimin e Presidentit amerikan u dëgjuan që prej fillimit të presidencës së trazuar të Donald Trump. Skandali i Rusisë, që lidhte kreun e Shtëpisë së Bardhë me përpjekjet e Moskës për të ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016-të, shtoi ndjeshëm thirrjet për impeachment, e madje nxiti hetime nga prokurori i posaçëm Robert Mueller.

Por lidershipi demokrat rezistoi, duke iu frikësuar pasojave të një hapi të tillë. Në fakt, gjyqi kundër një presidenti ka kosto politike e morale, jo vetëm për kreun e shtetit por edhe palën tjetër të përfshirë, veçanërisht kur zgjedhjet e reja janë vetëm disa muaj larg.

Atë që nuk e bëri dot Rusia, e bëri Ukraina… Provat se Trump kishte shfrytëzuar ndihmën ushtarake për t’i bërë presion Kievit të hetonte rivalin politik Joe Biden shtynë demokratët të tejkalonin dyshimet e të nisnin pa humbur kohë procedurat për shkarkimin e Trump. Në fund të një procesi disa javor në dhomën e përfaqësuesve, me dëshmi dramatike, ndaj Trump u ngritën dy akuza; për abuzim me pushtetin dhe pengim të drejtësisë.

Çështja shkoi në senat, dhe në 21 janar filloi gjyqi i tretë kundër një presidenti në historinë amerikane… Pas dyerve të dhomës së lartë të Kongresit, do të vendoset fati i Donald Trump, edhe pse shifrat janë të gjitha në favor të tij.

Në historinë amerikane asnjë president nuk është shkarkuar nga Senati, e megjithatë emrat e tre prej tyre lidhen kryesisht me “impeachment”. Andrew Johnson ishte i pari që iu nënshtrua gjyqit në Senat dhe i shpëtoi shkarkimit për vetëm një vote.

Skandali i “Watergate” implikoi Richard Nixon por ai u dorëhoq para zhvillimit të gjyqit. Bill Clinton doli para Senatit për skandalin “Lewinski”, por nga procesi doli jo vetëm i pafajshëm, por edhe me i fortë.

John Robert, kreu i Gjykatës së Lartë të drejtësisë do të drejtojë procedurat por çdo propozim i tij do të duhet të mbështetet në shumicën e thjeshtë në senat.

100 senatorët në dhomën e lartë të Kongresit do të kenë rolin e juristëve por në fund edhe të gjykatësve pasi me votën e tyre vendosin nëse presidenti shpallet ose jo fajtor.

Një grup prej 7 demokratësh nga dhoma e përfaqësuesve që ngriti akuzat kundër Trump do të veprojnë si prokurorë të çështjes. Mes tyre kryetari i komisionit të zbulimit Adam Schiff dhe ai i Komisionit të Drejtësisë, Jerry Nadler. Të dy ata u bënë shënjestër e zemërimit të Trump…

Patt Cipollone, këshilltari ligjor në shtëpinë e bardhe do të drejtojë ekipin mbrojtës të Trump bashkë me avokatin personal të presidentit Jay Sekulow…

Që Presidenti të shkarkohej do të duheshin 2/3-at e votave në senat, por republikanët gëzojnë shumicën dhe kjo ka pak gjasa të ndodhë…