Bota Gjyqi në Senat, çfarë mund ta zgjidhë ngërçin dhe çfarë ndodhi gjatë...

Gjyqi në Senat, çfarë mund ta zgjidhë ngërçin dhe çfarë ndodhi gjatë gjykimit të Clinton

Më shumë se një javë nga dita kur Dhoma e Përfaqësuesve miratoi ngritjen zyrtarisht të akuzave që synojnë shkarkimin e Presidentin Donald Trump, procesi i gjykimit në Senat mbetet i bllokuar. Zoti Trump akuzohet për abuzim me detyrën dhe pengimit të hetimeve që po kryente Kongresi mbi këtë çështje.

Udhëheqësi i shumicës në Senat Mitch McConnell ka thënë se ai dëshiron ta nisë procesin gjyqësor sapo ligjvënësit të kthehen nga pushimet, në muajin janar, por demokratët kërkojnë paraprakisht një marrëveshje për të marrë në pyetje disa dëshmitarë si dhe për t’i dorëzuar Senatit dokumenta të rëndësishme për procesin.

Mes polemikash se si mund të ecet përpara, palët po sjellin në vëmendje gjyqin e zhvilluar në Senat pas ngritjes së akuzave për shkarkim të ish-Presidentit Bill Clinton. Ato akuzojnë njëra-tjetrën për shmangie ndaj asaj që e konsiderojnë si precedent i vendosur nga ai gjykim. Demokratët e Kongresit janë shprehur kritik ndaj një deklarate të zotit McConnell se ai do të koordinojë procesin gjyqësor në Senat me Shtëpinë e Bardhë dhe se të bëjë gjithçka që mundet për ta liruar nga akuzat zotin Trump.

Duke e quajtur procesin për shkarkimin e presidentit “politik”, zoti McConnell ka thënë se ai nuk do të jetë “i paanshëm” në gjykim. Kjo sipas kritikëve bie ndesh me një betim për paanshmëri që të gjithë senatorët duhet të bëjnë përpara se të nisë gjyqi.

Në mënyrë që gjykimi të fillojë zyrtarisht, Senati i përbërë nga 100 anëtarë duhet të miratojë me shumicë të thjeshtë një rezolutë që autorizon procedurën. Por për ta bërë këtë, Dhoma e Përfaqësuesve duhet të dërgojë akuzat.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi ka thënë se nuk ka në plan t’i çojë akuzat Senat dhe se nuk do të zgjedhë ata që do të luajnë rolin e prokurorëve në procesin e gjykimit, “derisa të dihet se çfarë lloj gjykimi do të zhvillojë Senati”, siç është shprehur ajo.

Por zoti McConnell refuzon të pajtohet me këto kërkesa pa nisur gjykimi dhe ka sjellë në vëmendje si precedent gjyqin zhvilluar në vitin 1999 ndaj ish-Presidentit Clinton.

Çfarë ndodhi gjatë gjykimit të zotit Clinton?

Gjyqi ndaj Bill Clintonit, i dyti i këtij lloji në historinë amerikane, nisi më 7 janar 1999, më shumë se dy javë pasi ndaj tij u miratuan akuzat në Dhomën e Përfaqësuesve, se kishte gënjyer nën betim një juri të madhe si dhe kishte penguar drejtësinë lidhur me një hetim për një skandal seksual.

Gjyqi nisi pasi u arrit një marrëveshje mes republikanëve që kontrollonin Senatin dhe pakicës demokrate.

Pastaj këtij momenti u miratuan dy rezoluta të tjera të cilat rregullin mënyrën e gjykimit në Senat.

Fillimisht u miratua unanimisht një rezolutë mbi procedurat e gjykimit. Ajo u dha të dyja palëve kohë të barabartë, deri në 24 orë, për të paraqitur argumentet e tyre, ndërsa senatorëve që shërbenin si gjykatës, 16 orë për të pyetur palët.

Më pas, ndërsa kishte nisur gjykimi, Senati miratoi kryesisht sipas linjave partiake, planin republikan për kufizimin e dëshmive. Dëshmitarët, praktikantja e Shtëpisë së Bardhë Monica Lewinsky, ndihmësja e zotit Clinton Sidney Blumenthal si dhe avokati nga Uashingtoni Vernon Jordan, zhvilluan seanca me dyer të mbyllura. Senatit iu shfaqen vetëm disa pjesë të filmuara të këtyre dëshmive. Në fund, pesha e dëshmisë së tyre dështoi të bindë Senatin për të fajësuar zotin Clinton.

Çfarë duan demokratët?

Hetimi i Dhomës së Përfaqësuesve ndaj zotit Trump nisi pasi një informator i shërbimeve të zbulimit akuzoi presidentin Trump se i kishte bëri presion presidentit të Ukrainës për të hetuar kundërshtarin e tij politik, Joe Biden, djalin e tij Hunter Biden, si dhe mbi një teori të pabazuar në fakte, se Ukraina kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Ndërsa më shumë se një 12 persona dëshmuan gjatë hetimit, zoti Trump ndaloi zyrtarë të tjerë të rangut të lartë që të dëshmonin apo t’i dorëzonin dokumente Kongresit. Sipas demokratëve zyrtarët që nuk u lejuan të dëshmojnë kishin informacion të dorës së parë mbi atë që ndodhi.

Në një letër drejtuar zotit McConnell javën e kaluar, udhëheqësi i pakicës në Senat Chuck Schumer foli për 4 zyrtarë kyç që duhet të dëshmojnë, përfshirë shefin në detyrë të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë Mick Mulvaney si dhe ish-Këshilltarit e Sigurisë Kombëtare John Bolton. Përveç kësaj, ai kërkoi dhe dokumente që sipas tij hedhin dritë mbi presionin e supozuar që zoti Trump ushtroi ndaj Kievit që të nisë hetimet, si dhe rreth ndalimit të përkohshëm nga administrata të një ndihme ushtarake të nevojshme për Ukrainën.

Çfarë duan republikanët?

Republikanët thonë se ata dëshirojnë të ndjekin modelin Clinton, të hapin procedurat në janar dhe ta marrin vendimin nëse do të thërrasin dëshmitarët kur gjyqi të jetë duke u zhvilluar.

“Ajo që ishte e mjaftueshme për Presidentin Clinton është e tillë edhe për Presidentin Trump”, tha zoti McConnell në programin televiziv “Fox & Friends” të së hënës.

Ai këmbënguli se “nuk është përjashtuar thirrja e dëshmitarëve”. Por zoti McConnell nuk dha ndonjë shenjë nëse ishte është dakort me thirrjen e katër dëshmitarëve të kërkuar nga demokratët.

Çfarë kërkon Presidenti Trump?

Pasi ishte fillimisht në favor të një gjyqi të shpejtë, Presidenti Trump duket se ka ndryshuar kursin duke mbështetur tashmë një procedurë më të plotë që do ta shfajësonte atë plotësisht.

Presidenti Trump kishte përmendur më parë mundësinë e thirrjes së zonjës Pelosi, të kryetarit të Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve Adam Schiff, të Joe Biden dhe djalit të tij Hunter, si dhe shumë personave të tjerë për të dëshmuar, ndërkohë që i akuzonte demokratët se po kërkonin me ngulm dëshmitarë që do të forconin çështjen e tyre të dobët ligjore, sipas tij.

“E vetmja mënyrë për ta bërë këtë që të funksionojë është të krijohet një lloj presioni publik për të kërkuar thirrjen e dëshmitarëve, por McConnell i ka votat dhe mund ta drejtojë këtë gjyq si të dëshirojë”, shkruante Presidenti Trump në Twitter të martën.

Çfarë domethënieje ka e gjithë kjo për gjyqin?

Derisa t’i dorëzohen akuzat, Senati nuk mund ta nisë gjyqin, duke i lënë kështu procedurat në një rreth vicioz. Zoti McConnell gjendet nën një presion në rritje për të arritur një marrëveshje, qoftë edhe vetëm për të mbrojtur besueshmërinë institucionale të Senatit. Por duke patur parasysh ndasitë e tanishme partiake, janë të pakta prishmëritë që senatorët të bien dakord për një kuadër rregullash të ngjashme me ato të gjyqit për Presidentin Clinton.

“Problemi është se këtë radhë, republikanët në veçanti janë shumë më të zhurmshëm sesa ishin demokratët kur mbronin Presidentin Clinton”, thotë Jeffrey Tulis, profesor i shkencave politike në Universitetin e Teksasit në Austin.

Sa do të zgjasë gjyqi?

Një marrëveshje që mund të arrihej për dëshmitarët është ajo që përcakton kohëzgjatjen e gjyqit.

Si krahasim mund të përmendim gjyqin e vitit 1868 ndaj Presidentit Andrew Johnson që zgjati rreth 80 ditë, ndërsa ai ndaj Presidentit Clinton zgjati pak më shumë se një muaj. Zoti McConnell ka thënë se shpreson që gjyqi të mos zgjasë shumë./VOA