Aktualitet Gledis Nano prezanton drejtuesit e rinj të policisë: Jeni të gjithë në...

Gledis Nano prezanton drejtuesit e rinj të policisë: Jeni të gjithë në provë

Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka prezantuar drejtorët e rinj të Drejtorive të Policive në qarqe.

Nano u ka kërkuar drejtuesve të rinj të strukturave vendore, angazhim e përkushtim maksimal për parandalimin dhe goditjen e krimit, të kultivimit të kanabisit deri në zhdukje, parandalimin e krimeve mjedisore dhe ndotjes akustike, parandalimin e përshkallëzimit të konflikteve dhe ndjekjen e tyre, me qëllim zgjidhjen ligjore, duke bashkëpunuar me strukturat e tjera përgjegjëse, bashkëpunim më të mirë me institucionet arsimore, me qëllim krijimin e një ambienti sa më të qetë për mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Gledis Nano u ka bërë të qartë drejtuesve të rinj se janë në provë dhe se secili prej tyre do të vlerësohet bazuar në meritokraci dhe integritet.

Nano ka theksuar se vlerësimi dhe perceptimi i qytetarëve për shërbimin e ofruar nga shërbimet policore, si dhe për rezultatet e arritura në drejtim të krijimit të një ambienti sa më të sigurt për qytetarët do të jenë primare për vlerësimin e ecurisë së drejtuesve në detyrë.

Ndërkohë, në vijim të lëvizjeve të prezantuara ditën e djeshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë  së Shtetit ka firmosur emërimin në detyrë të disa drejtuesve të tjerë, të cilët deri dje mbanin detyra drejtuese në strukturat vendore, konkretisht:

1- Drejtues Krenar Muço emërohet në detyrën Drejtor në Drejtorinë e Migracionit, në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

2- Drejtues Ferdinand Mara emërohet në detyrën Drejtor në Drejtorinë e Analizës dhe Informacionit Kriminal, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

3- Kryekomisar Artur Selimaj emërohet në detyrën zëvendësdrejtor për Sigurinë dhe Policimin në Komunitet, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan.

4- Drejtues Albert Nushi emërohet në detyrën zëvendësdrejtor për Sigurinë dhe Policimin në Komunitet, në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat.

5- Kryekomisar Ilir Dedja emërohet në detyrën zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimeve, në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë.

6- Kryekomisar Lorenc Meta emërohet në detyrën zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimeve, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.