Aktualitet “Goditi edhe kamarierin”, milioneri spanjoll sqaron incidentin me Mihal Kokëdhimën

“Goditi edhe kamarierin”, milioneri spanjoll sqaron incidentin me Mihal Kokëdhimën

Eugenio Galdon, milioneri spanjoll që u sulmua në verë nga pronari i lokalit në Porto Palermo, Mihal Kokëdhima, ka kthyer në kujtesë gjithë ngjarjen që ndodhi më 15 Gusht. Në një intervistë, pronari i një prej kompanive të telekomunikacionit në Spanjë shprehet se Shqipëria është vend i bukur dhe se ka njerëz të mirë.

“Sigurisht që nuk do të largoheshim pa paguar, për aq kohë sa nuk na shërbyen ushqimin. Pronari i restorantit, që rezultoi të ishte pa leje, detyronte të huajt që të merrnin një peshk për person, por kamerieri na rekomandoi gjysmën, pasi ishin shumë të mëdhenj. Pronari u inatos dhe e goditi kamarierin. Guida besonte se nuk do ta sillnin ushqimin dhe kur po largoheshim, pronari goditi guidën. Çdo gjë degjeneroi aty. Nuk e bën një person vendin. Shqipëria është shumë e bukur, me njerëz të mirë. Ne na qëlloi një barbar. Ishte mësim jete sepse kaluam një kohë të keqe”, u shpreh Galdon.

Galdon së bashku me tre anëtarë të tjerë të familjes dhe dy persona, pjesë e guidës, u sulmuan nga Mihal Kokëdhima, pronar i një restoranti ku turistët ishin ndalur për të drekuar. Restoranti tashmë është shembur gjatë një aksioni të IKMT pasi rezultonte pa leje.

Ndërkohë, Gjykata e Shkallës së Parë dha masën e sigurisë arrest me burg për Mihal Kokëdhimën. Kjo masë u konfirmuar edhe nga gjykata e Apelit më 27 Gusht.

Por kush është Eugenio Galdon?

Eugenio Galdon është milioner, pasuria neto e të cilit llogaritet deri në 310 milionë Euro. Ai është 69 vjeç dhe ka lindur në Kartagjenë. Galdon themeloi kompaninë e telekomunikacionit ONO, të cilën e shiti në vitin 2015.

Po atë vit, ai u largua nga fondi “Bruc Capital” për të investuar në infrastrukturë. Së bashku me Juan Bejar, ish drejtor ekzekutiv i FCC, kanë krijuar një kompani energjie. Vite më parë, Eugenio Galdon ka qenë shef kabineti i ish-Kryeministrit spanjoll Adolfo Suarez, si dhe drejtor në grupet mediatike Prisa dhe COPE.