Sport Gol rekord në Champions. Jamal Musiala zgjedh Gjermaninë

Gol rekord në Champions. Jamal Musiala zgjedh Gjermaninë

Anglia dhe Gjermania ishin në luftë për mesfushorin Jamal Musiala. Pas shumë dilemash, 17-vjeçari ka zgjedhur për të luajtur me Gjermaninë në të ardhmen dhe jo me kombëtaren angleze, nga është me origjinë. Vendimi i tij është marrë menjëherë pas ndeshjes kundër Lazios në Champions League.

Një talent i kristaltë që trajneri Hansi Flick, në moshën 17-vjeçare, e aktivizoi titullar ndaj Lacios në ndeshjen e parë të 1/8-ve në Champions League.

“Ka kualitet për të qenë titullar te Bajerni, e ardhmja është e tij – ka shpjeguar Ottmar Hitzfeld, ish-trajner i Bajernit. – Ka teknikë, shpejtësi dhe fantazi. Mbi të gjitha ka shpejtësi, çka në futbollin modern është thelbësore”.

Jamal tashmë është bërë i njohur edhe për publikun e futbollit të madh. Luajti titullar në Champions dhe menjëherë u bë protagonist me një të djathtë të pakapshme nga Reina. Goli i tij është një rekord më vete, goli i parë nga një lojtar i datëlindjes 2003 në Champions…

Musiala ka lindur më 26 shkurt 2003 në Shtutgart, me nënë gjermane dhe baba nigerian. Ai ka nisur të luajë futboll 5 kundër 5 me Lehnerz, para se të transferohej në 2010-ën për studimet e së ëmës bashkë me familjen në Angli. U fut në akademinë e Sauthemptonit, ndërsa kur ishte 8 vjeç kaloi te Çelsi. Në moshën 13-vjeçare u grumbullua nga Anglia U-15, por në 2019-ën familja e tij vendosi të linte Anglinë dhe Musiala pati mundësinë të kalonte te Bajerni, ku u përfshi te skuadra U-17, që stërvitej nga Miroslav Klose.

“Më vjen keq për Musialan, që debutoi në Bundesligë dhe e festoi golin e tij të parë në kampionat pa ndjerë atmosferën e publikut, që mungon për shkak të koronavirusit“, tha Klose. Me të Musiala është rritur më shumë dhe që të dy pastaj kaluan në skuadrën e parë (Klose është ndihmës i Flick).

Në moshën 17 vjeç e 115 ditë është debutuesi më i ri në historinë e Bajernit në Bundesligë. I magjepsur nga talenti i tij, Flick e mori me vete për fazën finale të Championsit në Lisbonë, ku bavarezët u shpallën kampionë. Ka shënuar këtë sezon në fitoren 8-0 ndaj Shalkes, duke u bërë me 17 vjeç e 205 ditë shënuesi më i ri i historisë së klubit bavarez (i ka hequr rekordin Roque Santa Cruz).

Tani Flick e hodhi në fushë nga minuta e parë në një ndeshje Championsi. Një përgjegjësi e madhe, por që u shpërblye menjëherë nga mesfushori i talentuar.