Sport Goli, festimi si Ronaldo dhe bluza e “CR7”/ Myrto i mori të...

Goli, festimi si Ronaldo dhe bluza e “CR7”/ Myrto i mori të gjitha

Të luash në Champions është një arritje e madhe në karrierë. Të kesh përball emra si Ronaldo dhe Messi edhe më shumë se kaq, një përkëdheli nga fati.

Po të shënosh ndaj Juventusit të Cristiano Ronaldo-s, në Torino çfarë do të thotë?

Vështirë që dikush që nuk është protagonist mund ta kuptoje një gjë të tillë, përveç atij, Myrto Uzunit, djaloshit shqiptar që të martën në mbrëmje duke shënuar në duelin Juventus-Ferencvarosh, grupi G i Champions League na bëri më krenar sesa kurrë.

Për Myrton, nuk ka dyshim që ky moment është kurorëzimi i një ëndërre, një objektiv që do të mbetet thellë në memorien e karrierës së tij futbollistike.

Por duke qenë se karriera e Uzunit nuk është ende në kulimin e vet, nuk po nxitojmë ta konsiderojmë golin kundër Juventusit si kulmin e karrierës.

Kjo edhe për një fakt të rëndësishme. Ky djalosh vazhdon ti befasojë të gjithë nga dita në ditë, nga muaji në muaj dhe nga viti në vit.

E për këtë arsye, ku i dihet ndoshta moment edhe më të mëdha mund ti ketë rezervuar vetes në të ardhmen 25 vjecari nga Berati.

Ai që deri pak vite me parë ende aty, në kategoritë e ulëta të futbollit shqiptar mes Berati dhe Apolonisë, ku spikaste për talentin e tij dhe dëshirën për ta shpërblyer sakrificën familjare, me punën, punë, punë dhe përulje.

Virtyte këto që nuk të tradhëtojne kurrë dhe kjo u dëshmua edhe në shpërthimin e madh të Uzunit tek Laçi, klub që I dha mundësi talentit shqiptar që të bënte një kapërcim të rëndësishëm, atë të transferimit jashtë vendit. Një sfide e madhe por e kaluar me shumë sukses tek Lokomotiva e Zagrebit, aty ku tregoi se asgjë e fituar në nivel personal në Shqipëri nuk kishte qenë rastësi.

Transferimi tek Ferencvarosh, një ekip që ka shpenzuar shumë para vitet e fundit për të ndërtuar një ekip të fortë, ishte si protagonist, i madh madje sepse e ndihmoi edhe me gola skuadrën e tij për tu kualifikuar në formë historike në fazën e grupeve të Champions.

E tani ja ku jemi, në një stad tjetër të karrierës, atë të shënimit të një goli në grupet e Champions, as më pak e as më shumë por kundër Juventusit!

Por jo vetëm kaq! Uzuni të mërkurën në Torino i mori të gjitha,cdo gjë, pa asnjë pishman!

E kam fjalën këtu për dy elemente të tjerë që kanë bërë xhiron e mediave italiane dhe atyre europiane.

I pari, festimi si Cristiano Ronaldo, në sy të atij të cilën e ka pasur idhull në vegjëli! Aspak karshillëk e mungesë respekti, përkundrazi tregues sesa shumë Myrto e dashuron futbollistin që ka bërë historinë e futbollit botëror.

Dhe tjetra, fanella e “CR7”. Përulja e madhe për ti marrë fanellën njeriut që ka udhëhequr ëndrrat e vegjëlisë, stampon përjetësisht këto momente të paharrueshme!

Nota 7 nga mediat e mëdha sportive në Itali për golin dhe ndeshjen që zhvilloi (një nga notat më të larta të mbrëmjes).

Nota 10 për Myrton, si shembull frymëzimi edhe për të tjerët, si tregues që asgjë nuk është e pamundur në jetë!

Në 2008 kur Ronaldo fitonte topin e parë të artë dhe Uefa Champions League me Manchester United, në Berat një djalosh 13-vjeçar, luante me shokët e lagjes dhe të ekipit shpesh herë duke mbajtur fanellën e idhullit të tij, Cristiano Ronaldo, e imagjinuar as në ëndrrat më të gjata që një ditë, fanellën e Ronaldos do ta shkëmbente në fushën e lojës!

Sa e bukur është jeta!

Nga Ervin Sina/ Gazetar-Komentator (Vizion Plus-Tring)