Aktualitet Gomonia me drogë në Karaburun, arrestohen 3 trafikantët

Gomonia me drogë në Karaburun, arrestohen 3 trafikantët

Foto ilustruese

Tre persona janë arrestuar nga policia gjatë aksionit për ndalimin e gomones me kanabis që u kap të dielën në Gjirin e Dafinës në Karaburun.

Të arrestuarit janë Mandi  Begaj 43 vjeç, Herman Muçaj 27 vjeç dhe Ëngjëllush Mukaj 34 vjeç.

Policia thotë se këta persona që ishin në bordin e gomones, në pamundësi për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë, tentuan të braktisnin mjetin lundrues dhe të largoheshin, por u kapën dhe u prangosën.

Ndërsa në gomone u sekuestruan 577 kilogramë kanabis sativa, një pjesë e të cilës në formë çokollate.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të tentativës për trafikim të lëndës narkotike, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.

Gomonia me drogë u ndalua teksa po bëhej gati të nisej nga brigjet e Vlorës drejt Italisë. Në operacionin që u zhvillua nga ajri dhe nga toka ishte përfshirë edhe Guardia di Finanza italiane.