Aktualitet Grabitësit, me disiplinë ushtarake. Hetimet te Krimet e Rënda, përgjegjësi i sigurisë...

Grabitësit, me disiplinë ushtarake. Hetimet te Krimet e Rënda, përgjegjësi i sigurisë në polici

Hetimet për grabitjen e ndodhur këtë të martë në aeroportin e Rinasit i kanë kaluar tashmë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në kryeqytet.

Ngjarja u hetua fillimisht nga dy prokurorë të Tiranës, Kreshnik Ajazaj dhe Ndini Tavani, por procedurat do të ndiqen në vijim nga Krimet e Rënda.

Ndërkohë, burime të Top Channel thonë se drejtori i Policisë së Tiranës ka thirrur për të deponuar për ngjarjen shtetasin Kastro Vaskues, i cili është edhe personi direkt përgjegjës për sigurinë në Aeroportin e Rinasit.

Sa i përket ngjarjes, burime policore thonë se makina e përdorur rezulton të jetë e vjedhur në Laç. Ndërsa grabitësit, siç shprehen ato, kanë vepruar me një disiplinë ushtarake.

Personi që shkëmbeu zjarr me policinë kishte detyrë të digjte makinën me logon “hetimi tatimor”, ndërsa 3 të tjerët janë larguar me një furgon tjetër, që e dogjën në Kamëz.

Grabitësit, thonë burimet policore, kanë qenë njohës të mirë të zonës dhe e kanë mirëmënduar rrugën e largimit, pas ekzekutimit të kësaj vjedhjeje.