Aktualitet Grabitja, Lleshaj dhe bankat akuzojnë kinezët e Rinasit

Grabitja, Lleshaj dhe bankat akuzojnë kinezët e Rinasit

Shoqata e Bankave deklaroi se grabitjet e përsëritura të parave në Aeroportin e Rinasit kanë krijuar një klimë të papranueshme sigurie, jo vetëm për biznesin, por edhe për jetën e njerëzve.

“Lajmi dje nuk ishte vjedhja e parave. Lajmi dje ishte se paratë u vodhën në hangarin e avionit. Kjo është një ngjarje shumë e rëndë. Ne nuk mund të pajtohemi me këtë klimë”, deklaroi Spiro Brumbulli.

Shoqata e Bankave thotë se përgjegjësia kryesore për këtë ngjarje të rëndë bie mbi aeroportin. Por, sipas saj, edhe autoritetet kanë pjesën e tyre të dështimit: “Moszbardhja e ngjarjeve të mëparshme frymëzon ngjarjen e radhës. Kjo kërkon vëmendjen e institucioneve, pasi ngjarja e djeshme nuk është e izoluar, por është ngjarja e radhës e një sërë ngjarjeve të rënda që kanë ndodhur javët dhe muajt e fundit me sigurinë në vend”.

Edhe Lleshaj akuzon koncesionarin

Edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj tha se nuk ka funksionuar mekanizmi i sigurisë së koncensionarit.

“U cenua rëndë siguria e Rinasit u vu në rrezik serioz jeta e punonjësve të policisë. Koncensionari nuk ka arritur të sinjalizojë policinë. Kompania kineze ka dështuar në misionin e saj. Masa ligjore për të garantuar sigurinë në Rinas. Grupi i hetimit ka prova të rëndësishme“, tha Lleshaj.

Ministri i Brendshëm paralajmëroi marrjen e masave ligjore kundrejt koncesionarit që sipas tij, shpesh herë as nuk ka denjuar të kthejë përgjigje në korrespondencat që institucionet kanë shkëmbyer pas grabitjes së mëparshme të ndodhur në Rinas.

Faturën e paguajnë qytetarët

Veç panikut, vjedhjet e përsëritura në Rinas kanë edhe kosto financiare, e cila bie direkt mbi qytetarët. Ndonëse paratë e vjedhura fillimisht kompensohen nga shoqëritë e sigurimeve, kostoja finale e tyre paguhet nga qytetarët.

Për shkak të vjedhjeve të herëpashershme, shoqëritë ndërkombëtare të sigurimeve kanë rritur çmimin e siguracioneve për bankat shqiptare, të cilat këtë kosto shtesë ia përcjellin qytetarëve, duke rritur komisionet dhe interesat e kredive.

Shqipëria është një nga vendet me koston më të lartë të krimit në Europë. Sipas BERZH-it, në Shqipëri krimi i merr biznesit mesatarisht 6.5% të xhiros bruto, përmes vjedhjeve, gjobave apo kostove ekstra të sigurisë, para’ të cilat në fund paguhen gjithmonë nga qytetarët.