Aktualitet Grabitja në Rinas, Balluku: “Kutia e Pandorës” u hap. Koncensionari kinez kaloi...

Grabitja në Rinas, Balluku: “Kutia e Pandorës” u hap. Koncensionari kinez kaloi limitet

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë një deklarate për mediat, foli për masat që priten të merren nga qeveria pas grabitjes së parave në Rinas.

Balluku hodhi akuza ndaj kompanisë koncensionare kineze, që merrej me sigurinë e aeroportit, duke thënë se ajo ka shkelur kontratën. “Kjo kompani ka shkelur kontratën, pavarësisht kritikave dhe kërkesave të bëra nga ana e qeverisë. Të gjitha ato ranë në vesh të shurdhër. Tashmë do të merren masa të forta, sepse limitet janë kapërcyer dhe se kjo kompani ka dëmtuar imazhin e vendit tonë”, paralajmëroi Balluku.

Më tej, ajo ironizoi punën e koncensionarit, duke thënë se e vetmja gjë që di të bëjë  koncensionari kinez është hapja e parking-ve.

Sipas saj, masat e sigurisë janë fare të papërfillshme, duke shkaktuar edhe këto ngjarje të rëndë, pikërisht në shkallët e avionit.

Balluku tha se tashmë është hapur “Kutia e Pandorës” dhe gjithçka do të sqarohet.

Balluku: Ngjarja e 9 prillit është një ngjarje e përsëritur, por fatkeqësisht edhe më e sofistikuar nga keqbërësit në krahasim me herët e tjera, çka sjell cënimin e sigurisë kombëtare dhe saj ndërkombëtare, pasi aviacioni civil nuk ka kufi.

Përsëris qëndrimin dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të zgjidhur një herë e përgjithmonë një problem madhor, të cilin e kemi trajtuar me kujdes dhe konform normave dhe rregullave që aviacioni kërkon. Fatkeqësisht gjetjet dhe detyrat që i janë lënë kompanisë koncesionare dhe këtu po i referohem vetëm periudhës nga korriku 2016 pas grabitjes së parë në pistën e këtij aeroporti kanë rënë në vesh të shurdhër. Masat e marra kanë qenë sipërfaqësore dhe të pamjaftueshme. Masat e marra nga koncesionari i TIA kanë qenë sa për të  kaluar radhën dhe për të vazhduar qetësisht vjeljen e kësaj kontrate të gabuar që në gjenezën e saj. Kontratë kjo që nuk i ka lënë hapësirë shtetit shqiptar për të penalizuar kompaninë kineze dhe për ta bërë atë të ndërgjegjshme për dëmin që i ka krijuar Shqipërisë.

Të ardhurat dhe taksa për pasagjerë prej 3 eurosh që kompania vjel nuk u përdoren për investime serioze për pasagjerët. S’po ndalem sot në detajet e kushteve të munguara në këtë aeroport, i vetmi aeroport ndërkombëtar për momentin, pasi Kutia e Pandorës është hapur dhe do të kemi kohë plot për të sqaruar mungesën e kushteve dhe detyrimeve për cilësinë e shërbimeve që kompania nuk plotëson. Këto të ardhura nuk janë përdorur as për të rritur sigurinë e aeroportit ashtu siç është kërkuar nga organet mbikëqyrëse. I vetmi investim që kompania kineze ka për zemër janë parkingjet. Ti shtojë ata dhe të vjelë fitime të lehta duke harruar kush është objekti kryesor i sipërmarrjes së tyre në Shqipëri.