Aktualitet Grabitja në Rinas, “Daja” nuk pranon të flasë para hetuesve

Grabitja në Rinas, “Daja” nuk pranon të flasë para hetuesve

Ragip Hajdini personi i gjashtë i arrestuar për grabitjen e parave në aeroportin e Rinasit nuk ka pranuar të bashkëpunojë me hetuesit. 50-vjeçari nga Kosova u prangos të premten, por gjatë ditëve që qëndron në izolim është pyetur disa herë nga grupi hetimor, por ai nuk ka dhënë sqarime.

Mesditën e së hënës, Hajdini pritet të dalë përballë gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Hetuesit kanë dyshime se Hajdini, që njihej me pseudonimin “Daja”, ishte personi që ka siguruar makinën “Chevrolet” që më pas u modifikua në Elbasan për t’u përdorur në grabitje.

Në kërkim të Hajdinit, policia u vu pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Alkond Bengasi, i cili u tha hetuesve se pjesë e grupit kriminal ishte edhe një shtetas nga Kosova që qëndronte në shoqërinë e Admir Muratajt.

Hajdini rezulton me precedent të mëparshëm penal pasi në vitin 2012 ka qenë i dyshuar për grabitjen e 25 kilogramë ar nga Dhoma e Dëshmive në Policinë e Pejës, bashkë me 5 persona të tjerë. Një tjetër grabitje për të cilin ai dyshohet se ka marrë pjesë është dhe ajo e një argjendari në Dibër të Madhe në Korrikun e 2014-ës.

Ndërkohë të arrestuar për grabitjen e rreth 6.5 milionë Eurove janë Elton Pikli, Oltjon Veseli, Alkond Bengasi, Renaldo Sula dhe Saimir Çela. Sipas deklarimeve të 34-vjeçarit Bengasi, çdo gjë ka nisur para 6 muajsh në një drekë në zonën e Shkëmbit të Kavajës.

Në këtë takim kanë qenë të pranishëm Admir Murataj, Klement Çala, Eldi Çala, Talo Çela, kosovari me pseudonimin “daja”, Renaldo Sula, Saimir Çela, Oltjon Veseli dhe një person me emrin “Tani”.

I vetmi që ka pranuar se ka dijeni për ngjarjen duke përfituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë është Alkond Bengasi, kushëri më Klement dhe Eldi Çalën. Të tjerët deri më tani kanë mohuar akuzat duke kërkuar lirinë, shkruan Tv Klan.