Aktualitet Grabitja në Rinas, i penduari tregon bashkëpunëtorët

Grabitja në Rinas, i penduari tregon bashkëpunëtorët

Një gjurmë gishti i gjetur në furgonin me të cilin u krye grabitja ka tradhtuar Alkond Bengasin, i cili u soll në gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë “arrest me burg”.

Për shkaqe sigurie dhe për shkak se ai po merr statusin e të penduarit, qepeni i bodrumit të gjykatës nga ku hyri makina e policisë u mbyll përgjysmë. Edhe seanca e sigurisë u zhvillua me dyer të mbyllura, ku për më tepër se një orë prokurorët kanë radhitur provat në bazë të të cilave Alkond Bengasi dyshohet për grabitje, pjesëmarrje në grup kriminal, vrasje të policëve të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje.

I shoqëruar që prej ditës së shtunë, por që i është prerë fleta e arrestit të dielën në mbrëmje, 32-vjeçari, një ish i dënuar për çështje narkotikësh dhe përdorim droge, ka filluar të flasë. Ai ka treguar, sipas një burimi të besueshëm, se në pistë mes 5 grabitësve ishte edhe Klement Çala, ndaj autoritetet po punojnë ta bëjnë Bengasin një bashkëpunëtor drejtësie.

Të njëjtat burgime treguan se Bengasi, që është gjithashtu kushëriri i Çalës, por edhe shoku i tij, ka dhënë emrat e 9 bashkëpunëtorëve. Por, burimet tregohen mjaft të rezervuara për shkak se hetimet vazhdojnë intensivisht, ashtu siç edhe ndodhi gjatë ditës kur prokurorët sapo kanë përfunduar masën e sigurisë janë larguar bashkë me oficerët e Policisë Gjyqësore për të kryer kqyrje në disa objekte, të cilat po kontrollohen.

Të mërkurën do të dalin para gjykatës edhe 3 të dyshuar të tjerë, mes të cilëve ka nga ata që kanë qenë në grupin e zjarrit, pra pjesëmarrës në grabitjen në aeroport ku gjatë shkëmbimit me armë zjarri ngeli i vrarë njëri prej tyre, Admir Murataj./TCH