Aktualitet Grabitja në Rinas/ “Komandoja” nën vëzhgim nga amerikanët; u izolua në Sarandë...

Grabitja në Rinas/ “Komandoja” nën vëzhgim nga amerikanët; u izolua në Sarandë kur Bush vizitoi Shqipërinë

Të tjera detaje janë zbuluar për Oltion Veselin, personin e arrestuar për grabitjen e 6 milionë eurove në Rinas. Sipas gazetarit Artan Hoxha, është shprehur se 38-vjeçari nga Kruja ka një të kaluar si luftëtar në Jemen dhe Afganistan.

Në studion e Report TV, ai zbuloi se Veseli është izoluar në Sarandë gjatë vizitës së presidentit amerikan Xhorxh Bush në Shqipëri për shkak të rrezikshmërisë së lartë që kishte për të kryer sulme terroriste.

“Një shoqatë e kishte çuar në Sama të Jemenit për të studiuar teologji. Sama historikisht ka qenë një bazë e fortë e organizatave terroriste. Dhe çuditërisht ky i ri dërgohej për të bërë studime teologjike. Qëndroi 4-5 muaj në Jemen ku u trajnua dhe pastaj u dërgua në Afganistan.

Atë kohë Bin Laden ishte ende gjallë. Në një betejë, ishte bërë e mundur që të kapeshin dy shtetas shqiptarë, njëri prej tyre edhe Olti Veseli. U kap nga marinsat amerikanë. Ka qenë edhe mundësia që të dërgohej në Guantanamo, do bëhej shqiptari i parë që do të shkonte atje. Në fund të hetimit u soll në Shqipëri. Ritheksoj se familja e tij nuk ka qenë praktikante e ndonjë besimi, ishin bektashinj. Nga besimtarët në xhaminë e rrugës së Kavajës shihej si hero për shkak se kishte luftuar.

Kur ish-presidenti Xhorxh Bush erdhi në Shqipëri, Olti Veseli është marrë është çuar në Sarandë dhe është kthyer pas një jave. Amerikanët e kanë pasur nën vëzhgim. Nga fakti që ka qenë direkt në pistë, besoj se prej eksperiencës që ka patur si luftëtar. Kujtoj që ky grup më parë ka pasur rekrutuar ish-komando“, sqaroi Artan Hoxha.

Përveç tij në prangat e policisë kanë rënë: Elton Pikli;  Alkond Bengasi; Saimir Çela dhe Renaldo Sula. Gjatë grabitjes gjithashtu mbeti i vdekur edhe Admir Murataj.