Aktualitet Grabitja në Rinas, zbardhen rolet e secilit prej personave të identifikuar

Grabitja në Rinas, zbardhen rolet e secilit prej personave të identifikuar

Sot u zhvillua seanca për 3 të arrestuarit e tjerë të dyshuar se janë përfshirë në grabitjen e 9 prillit në aeroportin “Nënë Tereza”.

Seanca për masën u mbajt në Gjykatën e Krimeve të Rënda, aty ku një ditë më parë u shqyrtua masa edhe për Alkond Bengasin.

Për Oltjon Veselin, Saimir Çelën dhe Reinaldo Sulan u dha masa e sigurisë arrest me burg.

Seanca e zhvilluar me dyer të mbyllura për të ruajtur sekretin hetimor.

Zbardhet ngjarja

Grabitja e 9 prillit në pistën e aeroportit të Rinasit është thuajse një ngjarje e zbardhur.

Policia dhe grupi hetimor kanë zbuluar emrat e gati 90% të grupit që përgatiti, organizoi dhe realizoi këtë super grabitje.

Nga tetë persona të identifikuar tashmë me emër dhe mbiemër, pesë prej tyre janë arrestuar, një është vrarë, Admir Murataj, ndërsa dy vëllezërit Klement dhe Eldi Çala janë shpallur në kërkim.

Por cilët kanë qenë rolet e secilit prej të identifikuarve në këtë ngjarje?

Viktima Admir Murataj ishte nga më aktivët e grupit. I dyshuari si organizator kryesor, ai nuk ngurron të lidhë vetë bllokun e betonit për t’i hapur rrugën furgonit për t’u futur në pistën e aeroportit. Edhe pranë avionit ku u krye grabitja ai është mjaft aktiv.

Murataj mund të quhet ndryshe edhe specialist i organizmit të grabitjeve, dhe zhdukjes pa lënë gjurmë, aktivitet të cilin e ka nisur që në Greqi me grabitjet e kryera në shtetin helen, më pas arratisjen nga burgu i Trikallës në mars të vitit 2013 dhe për gjashte vite me radhe, në kërkim, organizoi të paktën katër grabitje në Shqipëri.

Klement Çala, i dyshuari si krahu i djathtë i Admirit, e ka shoqëruar në çdo moment atë para, gjatë dhe pas grabitjes, deri sa Murataj mbeti i vrarë. Rol aktiv në grabitje dyshohet se ka pasur edhe vëllai i Klementit, Eldi Çala, ndërsa të dy vëllezërit, që dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit të futur brenda aeroportit, janë shpallur në kërkim.

Nga personat e arrestuar, Alkond Bengasi, i afërm i Klement Çalës, rezulton të ketë modifikuar furgonin me logon “Hetimi Tatimor” në servisin e vëllezërve Çala në Elbasan. Madje mund të quhet që është i vetmi nga grupi i cili ka lënë gjurmët e gishtave brenda furgonit dhe që çoi policinë në arrestimin e tij dhe identifikimin e personave të tjerë.

Dy të arrestuarit e tjerë, Oltion Veseli dhe Elton Pikli, dyshohet se kanë pasur rol aktiv gjatë grabitjes. Ndërsa dy të arrestuarit e fundit deri më tani, Renaldo Sula dhe Saimir Çela, dyshohen se kanë pasur rol mbështetës për të larguar grupin pas grabitjes.

Sipas burimeve pranë grupit të hetimit të kësaj ngjarjeje, grupit të grabitësve i mungojnë edhe të paktën tre emra të tjerë.

Një ndër tre emrat, pjesë e grupit është edhe një femër, e identifikuar si E. Bici, 31-vjeçe. Ka dyshime se kjo shtetase ka djegur një nga automjetet që të krijonte kaos te policia, që u drejtua në krahun e kundërt të drejtimit të grabitësve.

Ajo ka qenë edhe efektive policie deri pak kohë më parë.

Ndërsa dy të tjerë dyshohet se mund të jenë nga Kosova dhe që kanë pasur rol aktiv në këtë grabitje.