Kryesore Gramoz Ruçi largohet nga politika: Falënderime të veçanta për Nanon dhe Metën

Gramoz Ruçi largohet nga politika: Falënderime të veçanta për Nanon dhe Metën

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka zgjedhur Kongresin e Partisë Socialiste për të shpallur dorëheqjen e tij nga mandati i deputetit dhe organet drejtuese të partisë.

“Kam zgjedhur sot se s’ka më mirë se 30 vjetori i partisë dhe fitorja e mandatit të tretë që të deklaroj këtu para jush se në 9 shtator që fillon legjislatura e re nuk do të ushtroj më mandatin që më ka dhënë PS në qarkun e Fierit dhe se nuk do të jem në asnjë organ të zgjedhur të familjes sime që më ka dhënë kaq shumë në 30 vjet”, tha Ruçi

Ruçi mbajti një fjalim përshëndetës në Kongresin e Jashtëzakonshëm të PS, ku bëri një historik të rrugës që kanë kaluar socialistët nga themelimi deri në këto momente.

Ruçi u shpreh se për shumë vite PS u akuzua si degë e Partisë së Punës. Ai kujtoi të gjithë themeluesit dhe bëri një falënderim të veçantë për Fatos Nanon dhe Ilir Metën.

“Unë nuk emocionohem kollaj. Por me këto që pashë në dokumentar dhe me fjalët e Megit mund t’iu them që jam i emocionuar. Nuk jam këtu për të folur për historikun. Dola këtu për të thënë se 30 vjetorin e ndaj në dy periudha 1991-2005 dhe 2005-2021. Nuk do të them asgjë për ato tre ditë se si u themelua partia jonë politike. Menjëherë sa u krijua ne u identifikuam si forca politike e sistemit që lamë pas. Ne u anatemuam si vetë PP. Nuk mjaftoi kaq. Të ishe socialist nuk ishte e modës. Flitej për shtet ligjor, por vetëm shtet ligjor nuk kishte për socialistët. Rrahje persekutime, barbarizma, arrestime e cila kulmoi me burgosjen e liderit Fatos Nano. Kanë qenë vite të vështira. Meqë jam ende do të përshëndetja 15 anëtarët e parë të Kryesisë, 3 nënkryetarët e parë të PS. Përshëndes shumë figura të spikatura akademike. Do të përshëndesja 4 të rinjtë që trokitën të parët Ndre Legisin, Ilir Metën, Ilir Zelën dhe Pandeli Majkon.

Do të përshëndesja dhe Fatos Nanon. I dashur Fatos ne jemi krenar për ty për shumë gjëra. Por askush nuk thotë dot që Fatos Nano nuk është politikan. Ne jemi krenar që kemi pasur Nanon kryetar. Askush nuk thotë dot që Nano nuk ishte intelektual. Shumë socialistë u persekutuan, por 4 vjet burg i bëri veç Nano. Në 1997 morëm shtetin, por ai kishte rënë. Në dy mandate ne ngritëm shtetin dhe e vendosëm në binarë. Përballuam luftën e Kosovës. Për herë të parë në mënyrë të civilizuar në 2005 u pranua humbja dhe u dha dorëheqja e Nanos. Këtë e bën vetëm një lidership”, tha mes të tjerash Gramoz Ruçi.