Bota Greqi, arrin në 31 numri i të infektuarve me koronavirus

Greqi, arrin në 31 numri i të infektuarve me koronavirus

E gjithë Europa është në alarm nga koronavirusi. Greqia është vendi i radhës që nis marrjen e masave të ashpra kundër përhapjes së virusit të rrezikshëm, teksa numri i të prekurve ka arritur në 31.

Autoritetet kanë mbyllur për dy ditë shkollat, teatrot, kinematë, sitet arkeologjike e sportive në rajonin e Akaias në veri të Peloponezit, pas konfirmimit të dy rasteve të infektimit.

Bëhet fjalë për një grua dhe një burrë 65 vjeç, të cilët muajin e kaluar ishin kthyer me të njëjtin avion nga Izraeli. Ata janë izoluar në spitalin e Patrës. Disa persona që kanë pasur kontakte me ta po u nënshtrohen analizave. Ndërsa ambientet e vizituara prej tyre po u nënshtrohen dezinfektimit.

Në hartën e përhapjes së koronavirusit është futur së fundi edhe Bosnjë-Hercegovina, ku një emigrant i rikthyer nga Italia së bashku me të birin, rezultuan pozitiv ndaj testeve dhe po kurohen në spitalin e Banja Lukës. Virusi është përhapur edhe në Slloveni e Hungari. Ndërsa në Kroaci numërohen tashmë 10 të infektuar.