Greqia ka publikuar në Fletoren Zyrtare rregulloren e re, sipas së cilës, emigrantët shqiptarë do të lejohen të kalojnë lirshëm me vërtetimin të lejes së qëndrimit deri më 31 dhjetor 2024.
Kjo rregullore hedh poshtë atë të mëparshmen, sipas së cilës, shqiptarët në Greqi do të pengoheshin të qarkullonin pas 31 marsit, nëse ishin në pritje të lëshimit apo rinovimit të lejes së qëndrimit.
Sipas vendimit, kjo vlen për ata që janë mbajtës të një vërtetimi të vlefshëm aplikimi për pajisje për herë të parë ose ripajisje me leje qëndrimi;
për ata që janë mbajtës të një vërtetimi të vlefshëm të posaçëm të qëndrimit të ligjshëm, me kusht që të dalin nga Greqia brenda periudhës së sipërpërmendur;
ata që posedojnë pasaportë të vlefshme ose dokument tjetër udhëtimi të njohur nga Greqia.
“Nga ky vendim përfitojnë të gjithë shtetasit shqiptarë që janë në proces aplikimi për pajisje/ripajisje me leje qëndrimi dhe që posedojnë vërtetimin përkatës”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
NJOFTIMI:
Pas komunikimeve të vazhdueshme të Ambasadës Shqiptare në Athinë me institucionet kompetente Greke, ju bëjmë me dije se:
Me Vendimin Nr. 4000/3/98-ib’, publikuar në Fletoren Zyrtare të Qeverisë së Republikës Greke, sot, në datën 19 mars 2024, mbi “Daljen dhe rihyrjen e shtetasve të huaj të vendeve të treta me leje qëndrimi, afati i vlefshmërisë së të cilave ka përfunduar dhe të shtetasve të huaj të vendeve të treta që kanë aplikuar për pajisje me leje qëndrimi”, përcaktohet se:
Gjatë periudhës 31-03-2024 deri më 31-12-2024, lejohet dalja në një vend të tretë, jashtë shteteve anëtare të Shengenit, dhe rihyrja e shtetasve të vendeve të treta që banojnë ligjërisht në Greqi, mbajtës të:
Një vërtetimi të vlefshëm aplikimi për pajisje për herë të parë ose ripajisje me leje qëndrimi, sipas neneve 10 dhe 11 të ligjit nr. 5038/2023 ose
Një vërtetimi të vlefshëm të posaçëm të qëndrimit të ligjshëm, sipas nenit 16 të ligjit nr. 5038/2023, me kusht që të dalin nga Greqia brenda periudhës së sipërpërmendur dhe të posedojnë pasaportë të vlefshme ose dokument tjetër udhëtimi të njohur nga Greqia.
Nga ky Vendim përfitojnë të gjithë shtetasit shqiptarë që janë në proces aplikimi për pajisje/ripajisje me leje qëndrimi dhe që posedojnë vërtetimin përkatës.