Aktualitet Greqia zgjat deri më 31 dhjetor lejet e qëndrimit për emigrantët shqiptarë

Greqia zgjat deri më 31 dhjetor lejet e qëndrimit për emigrantët shqiptarë

Greqia ka vendosur që të zgjasë lejet e qëndrimit për emigrantët deri në 31 dhjetor të vitit 2020 për shkak të pandemisë së shkaktuar nga infeksioni i koronavirusit si dhe për shkak të mbylljes së kufijve, pasi u pezulluan dhe procedurat për dokumente.

Nga ky vendim përfitojnë edhe shumë shqiptarë që ndodhen në Greqi me leje qëndrimi por që për shkak të emergjencës shëndetësore, nuk mund të vazhdojnë praktikat për ripërtëritjen e lejes së qëndrimit dhe që pezullimi i punës në disa pjesë të administratës shtetërore greke, ka sjellë vonesa në përgatitjen e dokumentacionit përkatës.

Vendimi për zgjatjen e lejeve të qëndrimit u mor nga Ministria greke e Emigracionit.

Po ky dikaster nxori vendimin edhe për dërgimin me postë të lejeve të qëndrimit që janë miratuar, por që për arsye të masave të izolimit dhe bllokimit nuk mund të merren dorazi nga emigrantët.

Kategoritë e përfshira në shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së lejeve të qëndrimit janë:

1-Lejet e qëndrimit lëshuar me zbatimin e ligjit 4251/2014 dhe dekretin presidencial 106/2007 që skadonin nga 1 dhjetor 2019 deri në 11 mars 2020 dhe nuk u mundësua aplikimi për rinovim nga disponuesi, si dhe lejet e qëndrimit të të njëjtës kategori që skadojnë nga 12 mars 2020 deri në 30 qershor 2020, rinovohen automatikisht deri në 31 dhjetor 2020.

2-Vërtetimet e dorëzimit të kërkesës sipas neneve 8 dhe 9 të ligjit 4251/2014 dhe vërtetimet speciale të qëndrimit në Greqi të nenit 25 të ligjit 4251/2014 të cilat skadonin deri në 11 mars e që rinovimi i tyre ishte i mundur sipas kritereve të parashikuara, si dhe vërtetimet e këtyre kategorive që skadojnë nga 12 mars deri në 30 qershor 2020, lejohet të rinovohen deri në 31 dhjetor 2020.

3- Për periudhën kohore nga data e skadimit të titujve të lejeve të qëndrimit të paragrafëve të mësipërm 1 dhe 2 deri në datën e aplikimit për rinovim konsiderohen automatikisht të vlefshme, pa asnjë detyrim lëshimi të një akti apo dokumenti ekstra ligjor vërtetues. Vlefshmëria e lejeve të reja të qëndrimit që do të miratohen për kategoritë e parashikuara në dy paragrafët e mësipërme (1, 2) fillon një ditë pas skadimit të afatit të mëparshëm.

4- Shtetasit e vendeve të treta, të cilët detyrohen gjatë afatit 12 mars-15 maj 2020 të aplikojnë për leje fillestare qëndrimi ose dëshmi qëndrimi të ligjshëm varur nga Vizë hyrje në territorin grek, sipas dispozitave të ligjit 4251/2014 dhe dekretit presidencial 106/2007, lejohen të dorëzojnë kërkesën përkatëse jo më vonë se 20 shtator.