Politika Grida Duma e pranishme në 7 korrik: Protesta do të bashkojë demokratët

Grida Duma e pranishme në 7 korrik: Protesta do të bashkojë demokratët

Deputetja demokrate Grida Duma ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në protestën e 7 korrikut dhe deklaroi se do të angazhohet për të thirrur sa më shumë njerëz që të marrin pjesë.

Në një prononcim për mediat jashtë Kuvendit, Duma e vlerësoi si diçka pozitive përfshirjen e deputetëve, por shtoi se do të ishte më mirë nëse do i kishin kërkuar mendim.

Ndër të tjera, ajo shprehu besimin se protesta do i bashkojë demokratët, ndërsa pjesa tjetër do të varet nga veprimet e hierarkisë.

“Kanë bërë shumë mirë që i kanë përfshirë deputetët kudo. E mira është përveç përfshirjes të kërkonin dhe mendime më tej se sa përfshirja.

Duhet të kuptojmë qartë që grupi parlamentar duhet të ketë prestigjin e të respektohet si i votuar nga demokratët dhe nga shqiptarët. Si të tillë nuk është vetëm çështje që të jemi në grupe pune, duhet patjetër të konsultohen të gjithë deputetët sa i takon strategjisë që do të ndiqet. Unë jam pro protestave. Besoj që protesta do bashkojë demokratët pastaj se çfarë do bëjë hierarkia lart është çështje më e madhe se kaq”, tha Duma.

E pyetur nëse do të zhvillojë takime për të parë si është strategjia, Duma dha përgjigje pozitive dhe shtoi se mban kontakte me kolegët në grupet e punës.

“Patjetër, strategjia është të ketë pjesëmarrje së pari. Unë nuk kam qenë në ato takime e grupe, por e di shumë mirë që kontakte me kolegët që janë në grupe do mbajmë patjetër”, tha deputetja.