Sport Grizman te Barcelona. Ja sa do përfitojë francezi në sezon

Grizman te Barcelona. Ja sa do përfitojë francezi në sezon

E ardhmja e Antuan Grizmanit është shumë pranë deshifrimit. Destinacioni i sulmuesit francez është stadiumi “Camp Nou”. Barcelona dhe Atletiko e Madridit kanë nisur diskutimet dhe bisedimet që lojtari të veshë fanellën blaugrana për sezonin e ardhshëm.

Sipas lajmit të publikuar nga “L’Equipe”, në javën e ardhshme do të ketë një takim mes përfaqësuesve të dy klubeve për ta konkretizuar operacionin “Grizman”. Klauzola e tij do të ulet ditën e hënë nga 200 milionë euro në 120 milionë, por drejtuesit e Barcelonës duan që ta zbresin akoma më shumë këtë shifër sepse vetë lojtari ka deklaruar që do të largohet dhe të nisë një tjetër aventurë. Diego Simeone kërkon që këto tratativa të përfshijnë edhe transferimin e Semedos tek  Atletiko. Barcelona nuk do që ta largojë mbrojtësin portugez, por kjo që nuk mund ta ndryshojë fatin e Grizmanit.

Sipas gazetës franceze, ai do të firmosë për 5 sezone me Barcelonën dhe do të përfitojë 17 milionë euro në vit, një shifër më inferiore sesa ajo që përfitonte tek Atletiko e Madridit. Në skuadrën kryeqytetase, Grizman kishte pagë vjetore 23 milionë euro. Antuan Grizman e ka thënë disa javë më parë që aventura e tij tek Atletiko ka përfunduar dhe dëshiron që të luajë në një tjetër skuadër.

Barcelona ishte shumë pranë transferimit të tij edhe një vit më parë, por vetë lojtari preferoi të qëndrojë tek Atletiko. Tani nuk do ta humbasë shansin për të luajtur përkrah Leo Mesit, pavarësisht se gjërat nisën të ndërlikoheshin për shkak të Nejmarit. Duket se dy lojtarët nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin dhe Grizman është i pari që do të transferohet te Barcelona.