Kosova Gruaja e parë dhe “Che Guevara”, çfarë shkruajnë media ndërkombëtare për zgjedhjet...

Gruaja e parë dhe “Che Guevara”, çfarë shkruajnë media ndërkombëtare për zgjedhjet në Kosovë

Mediat e huaja shkruajnë për gruan e parë e kandiduar si kryeministre dhe “Che Guevarën e Kosovës”, duke cilësuar rezultatet e zgjedhjeve si një fitore të gjeneratës së re e cila sfidoi gardën e vjetër.

Zgjedhjet e katërta të përgjithshme për 11 vjet në Kosovë, të cilësuara si shumë të rëndësishme për rinisjen e dialogut me Serbinë, shpallën fitues gjeneratën e re e cila sfidoi gardën e vjetër.

Mediat ndërkombëtare nisin pasqyrimin e tyre me një portret të shkurtër të dy kandidatëve të cilët janë shumë pranë njëri tjetrit….Albin Kurti i Vetëvendosjes dhe Vjosa Osmani e Lidhjes demokratike të Kosovës.

Ai shihej si fitues, dhe ashtu rezultoi, lider i së majtës nacionaliste të lëvizjes vetëvendosje, e cila doli parti e parë në zgjedhjet e dy viteve më parë. Albin Kurti 44 vjeç ish student rebel i burgosur nga Slobodan Milloshevic në vitet ’90, doli nga lëkura e Che Guevarës së Kosovës, ashtu si cilësohej, duke veshur këmishën dhe kravatën: mjaft me aksione të dhunshme; si tri vjet më parë kur ai dhe deputetët e tij hidhnin gaz lotsjellës në parlament…dhe mjaft më me idenë e një Shqipërie të Madhe….një linjë vërtet e kuqe për Beogradin.

Ajo është një pedagoge e re e të drejtës ndërkombëtare, e diplomuar në juridik, dhe me master e doktoraturë në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vjosa Osmani, 37 vjeç, shihet si fytyra e re e zgjedhjeve të së dielës në Kosovë. Ajo është gruaja e parë që kandidohet për postin e kryeministres.

Pjesa më e madhe e mediave të huaja shkruajnë mbi premtimet e elitës politike që do të marrë në dorë të ardhmen e vendit, të fokusuar në luftën kundër korrupsionit dhe marrëveshjen e paqes e të njohjes me Serbinë.

“New York Times” shkruan se Kosova kërkon një të ardhme të re, por mbeten ende problemet e vjetra. Qëkur Kosova përfundoi luftën e saj me Serbinë dy dekada më parë, figurat e saj politike mbizotëruese kanë qenë të gjithë burra që u ngritën si luftëtarë dhe e mbajtën pushtetin, pavarësisht se nuk arritën të siguronin një paqe të qëndrueshme dhe një ekonomi të mirë.

Por në zgjedhjet kombëtare të dielën, një gjeneratë e re politikanësh po sfidon gardën e vjetër për herë të parë. “Ndërsa mbetet ndarja e hidhur me Serbinë, me qeverinë në Beograd që refuzon ta njohë Kosovën si komb të pavarur, dhe shpresat për pajtim duken akoma larg, vëzhguesit shpresojnë se votimi mund të sigurojë një mundësi që vendi të shkëputet nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi i viteve të pasluftës dhe përqendrohet në qeverisje më të mirë”, shkruan NYT.

Ndërkohë, “Euroneës” shkruan se mes shqetësimeve më të mëdha të vendit janë korrupsioni i rrënjosur thellë dhe një marrëveshje paqeje me Serbinë që mund të shtrojë rrugën për një anëtarësim të Kosovës në OKB.

“Sipas sondazheve, pakënaqësia publike me arritjet e Haradinajt në krye të koalicionit trepalësh ka rritur mbështetjen për partitë opozitare”, shkruan “Euronews”.