Bota Grusht shteti në Venezuelë, SHBA në mbështetje të “Operación Libertad”

Grusht shteti në Venezuelë, SHBA në mbështetje të “Operación Libertad”

Komuniteti ndërkombëtar ka reaguar menjëherë për situatën e tensionuar në Venezuelë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë siguruar që të dërgojnë mesazhe të shumta në mbështetje të liderit të opozitës, Juan Guaido, i cili kërkon rrëzimin e Presidenti Nikolas Maduro.

“Presidenti i përkohshëm, Juan Guaido njoftoi nisjen e “Operacionit Liria”. Qeveria Amerikane mbështetë plotësisht popullin e Venezuelës në rrugëtimin e tij për liri dhe demokraci. Demokracia nuk do të mposhtet”, u shpreh Mike Pompeo, sekretar shteti i SHBA.

Të njëjtin mesazh dërgoi dhe nënpresidenti Mike Pence, ndërsa kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump është informuar për situatën. Lideri opozitar u mbështet dhe nga shtete të ndryshme të botës si Britania, Brazili dhe Kolumbia. Ndërsa, Rusia që renditet në krah të presidentit Maduro, u shpreh më e përmbajtur.

Presidenti Vladimir Putin diskutoi për situatën në Venezuelë në këshillin e tij të sigurisë. Zëdhënësi i Kremlinit tha se Moska po i kushton vëmendje të madhe asaj që po ndodh në Venezuelë, pas lajmeve se atje po organizohet një grusht shteti. Ndërkohë, Spanja ka mbajtur një qëndrim neutral.

“Shpresojmë që të mos ketë gjakderdhje. Mbështesim një proces paqësor demokratik në Venezuelë dhe kërkojmë që të shpallen zgjedhje të parakohshme presidenciale”, tha Isabel Celaa, zëdhënëse e qeverisë së Spanjës.

Përveç Rusisë, Maduro përkrahet edhe nga vende si Kina, Irani dhe Turqia.