Sport Guardiola: Lojtarët e mi s’duhet të lexojnë dhe as të shohin televizorin

Guardiola: Lojtarët e mi s’duhet të lexojnë dhe as të shohin televizorin

Manchester City kaloi edhe pengesën e fundit më të madhe në rrugëtimin drejt konfirmimit kampion i Premier League-s. Pasi mposhtën minimalisht Tottenhamin, Citizens dominuan edhe Manchester Unitedin në derbi, duke i rimarrë vendin e parë Liverpoolit.

Kur kanë mbetur edhe tri javë nga fundit, skuadra e Pep Guardiolës duhet të mposhtë tre emra pa shumë peshë si Burnley-n, Leicester City-n dhe Brightonin.

Edhe pse kalendari që favorizon Citizens, Pep nuk e bën gjumin të qetë. Trajneri katalanas e di mirë se nevojitet përqendrim maksimal në metrat e fundit të garës, e cila është me “fotofinish”.

“Mbeten për t’u luajtur edhe tri ndeshje, ndaj nuk jemi ende kampionë të Anglisë. U kam kërkuar lojtarëve të mi që të mos lexojnë asgjë, të mos shikojnë as televizion. Ata vetëm duhet të pushojnë dhe të flenë shumë para ndeshjes së ardhshme me Burnley. Ne e dimë sa e vështirë do të jetë atje, është thelbësore të ruajmë përqendrimin dhe qetësinë. Të dyja palët, ne dhe Liverpooli, e meritojmë titullin, por vetëm njëra mund ta fitojë. Skuadra që nuk do t’ia dalë, nuk duhet të ketë keqardhje, sepse ka dhënë gjithçka”, tha Guardiola pas ndeshjes kundër United.