Sport Guardiola pas vendimit të CAS: Do të rrija te City edhe në...

Guardiola pas vendimit të CAS: Do të rrija te City edhe në kategorinë e katërt

Manchester City do të luajë në Champions vitin e ardhshëm. CAS rrëzoi vendimin e UEFA-s, që i kishte pezulluar “qytetarët” dy vite nga Kupat e Europës. Në konferencën për shtyp, Pep Guardiola tha se e ardhmja e tij, në çdo rast, do të ishte me “blutë”. Edhe në rast zbritjeje në ligat e ulëta, nuk do ta kishte braktisur skuadrën e tij:

“Jam tepër i lumtur me vendimin e CAS, kjo tregon se ajo që është thënë për klubin tonë nuk është e vërtetë. Situata ime personale ka qenë gjithmonë e qartë. Unë e thashë edhe një muaj më parë. Do të kisha qëndruar, me ose pa Champions. Disa në Angli kanë thënë se ne duhet të luajmë në ligën e dytë. Unë po ju them se do të qëndroja edhe në kategorinë e katërt me Manchester City”.

Shumë në botën e futbollit e kanë kritikuar vendimin e CAS, përfshirë presidentin e La Liga-s, Tebas. Guardiola kundërpërgjigjet: “Z. Tebas duhet të ketë shumë zili për Premier League, ai është një ekspert i shkëlqyer ligjor. Herën tjetër do ta pyes se cilët gjyqtarë do të zgjedhim. Ai është një nga njerëzit që i pranon dënimet vetëm kur jepen sipas shijes së tij”.