Extra Guruja indian i familjes Gjiknuri: Jam si Jezusi! Gruaja e ish-ministrit: Po...

Guruja indian i familjes Gjiknuri: Jam si Jezusi! Gruaja e ish-ministrit: Po zbuloj veten!

Ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri është akuzuar vazhdimisht nga ish-kryeministri Sali Berisha se ka shpenzuar shuma marramendëse për të financuar aktivitete të një Guru-je indian

Guru-ja në fjalë, i quajtur Paramahamsa Vishwandanda habiti jo pak shqiptarët kur në vitin 2018 erdhi në Tiranë dhe u prit në aeroportin e Rinasit nga gra dhe vajza që i puthnin duart dhe këmbët.

Një ndër personat që e priti në aeroport guru-n indian ishte edhe bashkëshortja e ish-ministrit Gjiknuri, Rovena Agolli.

Ajo foli mbrëmjen e djeshme në “Opinion” për raportin e familjes së saj me Paramahamsa Vishwandanda dhe ndjesitë që ka marrë kur ka nisur të besoj tek Guru-ja.

“Unë po zbuloj veten, ne nuk e njohim veten, të gjithë mendojnë se e njohim. Nuk e njohim atë pjesë hyjnore tonën dhe e njohim përmes dashurisë. Në këtë mënyrë zgjohesh nga gjendja e fjetur mendojmë se duam, por nuk duam në të vërtetë. Ne jemi një miniaturë e Zotit mbartim të gjithë cilësitë që Zoti ka por në doza të vogla. Unë njoh të vërtetën që e kam zbuluar vet nuk kam pyetur për këtë gjë më është shfaqur kjo gjë”, tha ajo.

Ajo theksoi se numri i besimtarëve shqiptarë për Guru-në shtohen gjithnjë e më shumë.

“Kemi krijuar një qendër në Tiranë, e cila mëson disa praktika spirituale. Në këtë qendër mblidhemi dhe shtohemi, por njerëzit janë me stade të ndryshme. Ka njerëz që e provojnë dhe nuk kthehen dhe të tjerë që qëndrojnë. Ne jemi një grup i devotshëm kemi vënë kohën tonë, për të ndarë me shumë dashuri këtë filozofi”, theksoi gruaja e Gjiknurit.

Ndërkohë vetë Guru-ja indian foli për atë çka ai përfaqëson dhe tha se i ndihmon njerëzit të arrijnë perfeksionin.

“Në traditën perëndimore Guru do të thotë të jesh mësues ose një mjeshtër, por ka një dallim të madh midis mësuesit dhe mjeshtrit. Mësuesi të mëson, ndërsa guru-ja të mbart me vete. Një mësues do të japë mësim dhe më pas do të mbarojë punë me ty, ndërsa guru-ja nuk mbaron punë më ty derisa ti të arrish nivelin e perfeksionit”, u shpreh Paramahamsa Vishwandanda.

I pyetur se përse njerëzit duhet të kenë besim tek ai dhe jo tek një Guru tjetër Paramahamsa Vishwandanda tha: “Çështja nuk është nëse njerëzit duhet të besojnë tek unë apo jo, është diçka personale. Ne besojmë se guruja shfaqet kur dishepulli është gati, para këtij çasti ai nuk shfaqet… Edhe Jezusi u shfaq kur ishte koha e duhur”.