Ekonomi Guvernatori i BSH: Ekonomia shqiptare u godit fort nga pandemia

Guvernatori i BSH: Ekonomia shqiptare u godit fort nga pandemia

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka zhvilluar sot një takim online me shefen e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun. Sipas Bankës së Shqipërisë, diskutimet e këtij takimi u fokusuan në ecurinë e ekonomisë shqiptare, zhvillimet në sistemin financiar, ndikimin e pandemisë në ecurinë ekonomike dhe pritjet për rimëkëmbjen ekonomike gjatë periudhës së ardhshme.

Sejko është shprehur se ekonomia shqiptare ka qenë nën efektin e fortë të pandemisë gjatë gjysmës së parë të vitit, e cila ka dhënë ndikimin e saj në konsum, në investime, në punësim dhe në borxhin publik. Megjithatë, pandemia e gjeti sektorin financiar dhe atë bankar të mirëkapitalizuar e likuid, dhe këto parametra kanë vijuar të ruhen të shëndetshëm.

Po ashtu kreu i BSH shtoi “se relaksimi i masave të distancimit social gjatë fundit të tremujorit të dytë, si dhe stabiliteti monetar dhe financiar i vendit, kanë krijuar premisa që efekti i pandemisë në ekonomi të vijë progresivisht drejt reduktimit, duke u shoqëruar me një rimëkëmbje graduale të aktivitetit ekonomik në periudhën në vijim”.

Në përgjigje të kësaj krize, Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë ka rritur stimulin monetar, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit dhe rritjes së injektimeve të likuiditetit dhe se institucioni që ai drejton ka ndërmarrë ndryshime të kuadrit rregullator, të cilat kanë lehtësuar shtyrjen e përkohshme të pagesës së kësteve dhe ristrukturimin e kredive bankare për klientët në vështirësi.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi se “qëndrimi i politikës monetare ka qenë dhe mbetet i përshtatshëm, duke ofruar stimujt e nevojshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022”.

Po ashtu Yan Sun deklaroi se rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare në afatin e shkurtër mbetet sfiduese, si pasojë e efekteve negative nga tërmeti i vitit të kaluar, si dhe atyre të pandemisë globale COVID-19. Megjithatë, ekonomia shqiptare pritet të rifillojë rimëkëmbjen në vitin 2021.