Bota Guvernatori i Florida-s padit administratën Biden për politikat me emigracionin

Guvernatori i Florida-s padit administratën Biden për politikat me emigracionin

Shteti i Floridas ka paditur administratën e presidentit Joe Biden duke pretenduar se politika e tij e emigracionit është e paligjshme.

Guvernatori republikan, Ron DeSantis nënshkroi një urdhër që ndalon agjencitë shtetërore të ndihmojnë në zhvendosjen e emigrantëve që mbërrijnë në mënyrë të paligjshme nga kufiri jug-perëndimor.

Ai gjithashtu urdhëroi agjencitë të mblidhnin informacion mbi identitetet e çdo emigranti që mbërrin ilegalisht nga kufiri me Meksikën.

Përfaqësuesja e shtetit demokrat, Anna Eskamani kritikoi DeSantis, duke thënë se ai po përdor çështjen e emigracionit për të fituar pikë politike në vend.

Padia e Prokurores së Përgjithshme, Ashley Moody pretendon se politika federale e emigracionit do t’i kushtojë shtetit miliona dollarë dhe do t’i shkaktojë dëm Floridës.

Moody dhe DeSantis dënuan ashpër Biden për emigracionin dhe vlerësuan politikat e ish-presidentit Donald Trump.

“Presidenti Biden po ndihmon dhe përkrah kartelet kriminale”, u shpreh prokurorja.

E pyetur në lidhje me padinë dhe urdhrin e DeSantis, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se ajo ende nuk e kishte parë padinë.

DeSantis, i konsideruar si një kandidat i mundshëm presidencial i vitit 2024, prej muajsh sulmon kreun e Shtëpisë së Bardhë mbi çështjen e emigracionit.