Ekonomi Guvernatori Sejko: Pandemia ka goditur rëndë ekonominë shqiptare

Guvernatori Sejko: Pandemia ka goditur rëndë ekonominë shqiptare

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një konferencë për mediat duke folur për situatën e ekonomisë në vend dhe goditjen që ka pësuar nga COVID-19, tha se, sipas analizave koronavirusi ka goditur rëndë ekonominë dhe të gjithë sektorët kanë pësuar një ngadalësim.

Ekonomia, tha ai, ka shënuar dhe pikën e ngadalësimit në 3-mujorin e dytë të vitit, muaj kur përhapja e COVID ishte dhe më e madhe. Sejko u shpreh optimist se mund të ketë rritje ekonomike në vitin 2021, por shtoi goditja e këtij viti do të shoqërohet me rritje të papunësisë.

“Pandemia ka sjellë një goditje të rëndë për ekonominë shqiptare, si në nivel makro ashtu dhe në nivel biznesesh e familjes individuale”, tha Sejko pas miratimit të Raportit Tremujor të Politikës Monetare nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë u shpreh se pritet që të ketë dhe një rritje të borxhit publik, por shtoi se Këshilli Mbikëqyrës ka vendosur të lërë të pandryshuar normën e interesit, përkatësisht në vlerën 0.5%.

“Po ashtu, rënia e aktivitetit ekonomik pritet të shoqërohet me ulje të punësimit dhe rritje të papunësisë, me zgjerim të deficitit të llogarisë korrente dhe rritje të borxhi publik gjatë vitit 2020. Në terma mikroekonomikë, rënia e kërkesës dhe e shitjeve, ka sjellë vështirësi financiare për shumë biznese e familje shqiptare, si pasojë e tkurrjes së të ardhurave dhe e humbjes së vendeve të punës”, deklaroi guvernatori.

Duke iu referuar të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u kontraktua me 2.5% në tremujorin e parë të vitit tha Sejko. Duke iu referuar të dhënave indirekte, parashikohet se rënia do të jetë dukshëm më e fortë në tremujorin e dytë theksoi Guvernatori.

“Në skenarin bazë, aktiviteti ekonomik në vend pritet të shënojë pikun e ngadalësimit në tremujorin e dytë, të vijojë të mbetet në territor negativ gjatë dy tremujorëve në vijim, dhe t’i kthehet rritjes në vitin 2021. Ky skenar është i kushtëzuar nga ecuria e mëtejshme e pandemisë, nga shpejtësia e përmirësimit të aktivitetit ekonomik në partnerët tanë tregtarë, nga ndikimi i pandemisë në sjelljen e ardhshme të biznesit dhe konsumatorit, si dhe nga efektiviteti në kohë i masave fiskale, monetare dhe financiare, të ndërmarra deri tani”, përfundoi guvernatori Sejko.