Bota Hahn: Kosova të heqë taksat, Serbia të ndalë fushatën për tërheqjen e...

Hahn: Kosova të heqë taksat, Serbia të ndalë fushatën për tërheqjen e njohjeve

Komisionari i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, tha të premten se Kosova duhet të heqë tarifat ndaj mallrave serbe dhe Serbia duhet t’i jap fund fushatës për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ai i bëri këto komente në Helsinki ku të premten ministrat e BE-së takuan ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Komisionari Hahn tha se rezultati i bisedimeve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është element thelbësor për ardhmërinë evropiane të rajonit. Ai shfaqi shpresën se pas zgjedhjeve në Kosovë, që mbahen më 6 tetor, “gjërat do të jenë të më qarta” dhe më pas “të hyhet në negociata përfundimtare”.

Ai tha se Kosova duhet të heqë tarifat “që janë në kundërshtim me frymën e BE-së” dhe “Serbia duhet të përmbahet nga kjo nisma e tërheqjes së njohjeve të pavarësisë së Kosovës”.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve janë pezulluar që nga nëntori i vitit të kaluar kur Prishtina vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, në kundërpërgjigje ndaj fushatës së Beogradi kundër shtetësisë së Kosovës.

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre është kusht për integrimet evropiane që është aspiratë e të dyja vendeve.

Të premten, në Helsinki, Serbisë iu bë thirrje që të mos largohet nga rruga e saj evropiane, ndërsa Beogradi po përgatitet të nënshkruajë një marrëveshje tregtare me një bllok ekonomik të udhëhequr nga Rusia. Serbia pritet të nënshkruajë marrëveshjen me Bashkimin Ekonomik Euro-aziatik – të përbërë nga Rusia, Armenia, Bjellorusia, Kazakistani dhe Kirgizia në fund të muajit tetor.

Serbia i hapi negociatat për integrim në BE në vitin 2014, por procesi varet nga marrëdhëniet me Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë. Beogradi madje reagoi edhe ndaj pjesëmarrjes së Kosovës në takimin në Helsinki.

Hapja e negociatave Serbisë i ishte mundësuar me marrëveshjet me Kosovën të vitit 2013, të cilat Kosovës i siguruan Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian.

Megjithatë, Kosova mbetet e fundit në proceset integruese dhe qytetarët e saj janë të vetmit në rajon që nuk mund të lëvizin pa viza, ndonëse siç tha të premten zonja Mogherini, Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për përfshirjen në regjimin e udhëtimit pa viza.

Burimi: VoA