Politika Hajdari: Të gjithë i njohin me emra katër bandat që sundojnë Elbasanin,...

Hajdari: Të gjithë i njohin me emra katër bandat që sundojnë Elbasanin, përse policia jo?

Deputetja Rudina Hajdari ka denoncuar nga foltorja e Parlamentit se në qytetin e Elbasanit sundojnë katër banda kriminale. Dhe këtë fakt, sipas saj, e dinë të gjithë banorët e atij qyteti.

Gjatë fjalimit në Parlament ditën e sotme, Rudina Hajdari u shpreh se si ka mundësi që asnjë prej zyrtarëve më të lartë të policisë, qeverisë, dhe prokurorisë nuk ka dijeni dhe nuk flet për bandat që kontrollojnë Elbasanin.

“Çdo njeri që jeton në Elbasan i di me emra dhe mbiemra grupet kriminale. Nuk ka banorë që nuk di aktivitetet e 4 bandave që sot sundojnë qytetin e Elbasanit. Të gjithë banorët kanë dijeni mbi aktivitetet kriminale që ndodhin aty. Si ka mundësi që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk di gjë? Si ka mundësi që ministri i Brendshëm nuk di gjë? Si ka mundësi që Kryeministri nuk thotë gjë? Si ka mundësi që në një anë ky shtet është gati ti kapë fshatarët, t’i marri qytetarët, t’i vërë taksa, të bëjë çdolloj gjëje që ata të ndjejnë varfërinë? Në Elbasan i vetmi aktivitet që lulëzon është kriminaliteti”, tha ndër të tjera deputetja Rudina Hajdari.

Kujtojmë se Rudina Hajdari do të kandidojë për deputete në qytetin e Elbasanit nën siglën e “Nisma Thurrje”.