Sport Hakerat rikthejnë Neymar te Barcelona

Hakerat rikthejnë Neymar te Barcelona

“Neymar kthehet tek Barcelona”, njoftimi është dhënë nga profili zyrtar në Twitter i klubit blaugran dhe në pak kohë lajmi ‘mori dhenë’, por ka një shpjegim e merkato nuk hyn fare në këtë rast. Pas fitores kundër Getafe, që riktheu në krye skuadrën e Setien, të gjitha llogaritë e Barcelonës janë hakuar nga një grup i quajtur ‘OurMine’, që ka dashur të denoncojë nivelin e ulët të sigurisë së klubit në profilet e tij në rrjetet sociale. Jo vetëm Neymar, në shënjestër ka përfunduar edhe presidenti Josep María Bartomeu me hashtagun  #BartomeuOut.

“Përshëndetje, jemi OurMine. Kjo është hera e dytë që e bëjmë. Niveli juaj i sigurisë është përmirësuar, por nuk është ende perfekt”, është mesazhi i hackerave drejtuar Barças – Për të shtuar sigurinë e faqeve tuaja na kontaktoni”

Pas incidentit, klubi katalanas mori në dorë situatën duke fshirë të gjitha postimet, por u detyrua  të publikojë një komunikatë zyrtare në të cilën ka shpjeguar çfarë ndodhi dhe mbi të gjitha njoftoi se do të rishikojë të gjithë kontaktet ose lidhjet me kanalet e jashtëm, për të parandaluar që situata të tilla të ndodhin përsëri në të ardhmen.