Bota “Hakmarrja” e Trump ndaj Harris e Clinton dhe ndaj prokurorëve që e...

“Hakmarrja” e Trump ndaj Harris e Clinton dhe ndaj prokurorëve që e hetuan

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka hequr aksesin në informacione të klasifikuara për Kamala Harris, Antony Blinken dhe Hillary Clinton, por gjithashtu dhe prokurores Letitia James, e cila e hetoi atë për mashtrim.

Lajmi konfirmohet nga vetë Shtëpia e Bardhë, e cila përmes një memorandumi të publikuar në faqen e saj zyrtare, njofton heqjen e verifikimeve të sigurisë dhe aksesin në informacione të klasifikuara për demokratët, përfshirë këtu dhe çdo familjar të familjes Biden.

Por nuk ka vetëm demokratë në këtë listë.

Aty janë të përfshirë: Alvin Bragg, prokuror i Manhattan që zhvilloi hetimet ndaj Trump, Liz Cheney dhe Adam Kinzinger, republikanë këta që kanë shërbyer në komitetin që hetonte trazirat e 6 janarit në Kapitol të SHBA-ve, siç raporton “The Guardian” lidhur me këto personazhe.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, nëse ndonjë prej personave të listuar ka marrë leje sigurie për shkak të punësimit të tyre me një ent privat, entiteti i administratës që ka siguruar lejen duhet të informojë subjektin privat se qasja e tyre për të pasur akses në informacionin e klasifikuar është revokuar.

Më herët, Trump tërhoqi të drejtën për akses në informacione të klasifikuara për 40 ish-zyrtarë të inteligjencës, të cilët ai i akuzoi për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2020 në favor të Biden – pa ofruar prova.

Në vitin 2021, Biden – president në detyrë në atë kohë – i ndaloi rivalit të e tij Trump të kishte akses në informimet e inteligjencës duke përmendur “sjelljen e tij të çoroditur”.