Aktualitet Hapen kinematë: Çfarë lejohet dhe çfarë jo

Hapen kinematë: Çfarë lejohet dhe çfarë jo

Ndalimi i ushtrimit të aktivitetit për kinematë është shfuqizuar përmes një urdhri të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Në maj, në kuadër të masave për të frenuar COVID-19, Ministria e Shëndetësisë ndaloi aktivitetin e kinemave, krahas atij të klubeve të natës dhe pishinave ndërkohë që tani kinematë do të hapen por duke pasur parasysh respektimin e rregullave anti- COVID.

Udhëzuesi për fillimin e aktivitetit të kinemave është zbardhur dhe është bërë me dije se është një udhëzues i përkohshëm i cili do të rifreskohet sipas nivelit të riskut.

Në hyrje të kinemave do të matet temperatura dhe për të gjithë ata që e kanë temperaturën mbi 37.5 nuk do të lejohet hyrja në kinema.

Oraret e shfaqjeve do të bëhen me dije nga administratori i kinemasë dhe do të ketë një hapësirë bosh nga shfaqja në shfaqje.

Në udhëzues tregohet se koha midis shfaqjeve do të jetë 15 minuta dhe gjatë këtij afati kohor do të bëhet dhe dezinfektimi i sallave.

Për të parandaluar grumbullimin në zonat e pritjes të gjitha rezervimet duhen bërë online.

Stafi i kinemasë dhe vizitorët do të jenë të pajisur të gjithë me maska dhe për monitorimin e respektimit të rregullave, si mbajtja e maskës apo distanca 1.5 metra, në çdo kinema do të ketë staf mbështetës.

“Të mos kryhet konsumim i ushqimeve dhe pijeve në ambientet dhe sallën e kinemasë”,- theksohet në udhëzuesin e bërë publik nga Ministria e Shëndetësisë.