Bota Hapen varret në Vatikan, shtohet misteri i adoleshentes së zhdukur

Hapen varret në Vatikan, shtohet misteri i adoleshentes së zhdukur

Kërkimet e trupit të një adoleshenteje në varrezat e Vatikanit zbuluan një dhomë sekrete, me forcat e rendit që mbetën edhe një herë pa fjalë. Një nga misteret më të errëta të Italisë, që ka frymëzuar dhjetëra libra dhe mijëra orë debate në media, rrezikon të mbetet e tillë ende gjatë.

Zhdukja e një vajze adoleshente në 1983 në Romë, Emanuela Orlandi,  ka marrë ndër vitesh konturet e një intrige ndërkombëtare që ka përfshirë organizata kriminale dhe terroriste, shërbimet sekrete, politikanë dhe veçanërisht Vatikanin.

Emanuela Orlandi, e zhdukur në 1983

Fill pas zhdukjes së vajzës 15 vjeçare, plot 35 vite më parë, sinjalizime të shumta dhe në kundërshtim me njëra-tjetrën, lidhnin fatin e saj me ngjarjet e ndodhura në Selinë e Shenjtë.

Fillimisht Ujqërit Gri turk deklaruan se e kishin rrëmbyer për ta këmbyer me atentatorin e Gjon Palit II, Ali Agça, por pista u zbeh më pas, edhe pse vetë Agca rrëfeu se Orlandi ishte rrëmbyer me urdhër të Vatikanit.

Disa telefonata anonime në 2005 gjatë një emisioni televiziv rrëfyen që vajza ishte vrarë nga një pjesëtar i organizatës kriminale Banda della Magliana, sepse i ati Orlandit, që punonte në Vatikan, kishte njohuri për një skandal financiar me IOR, bankën e shtetit të vogël, dhe që përgjigjja ishte në një varr që ndodhej në kishën e Shën Apolinarit. Në fakt aty forcat e rendit gjetën pikërisht eshtrat e liderit të organizatës kriminale, Enrico De Pedis, që kërkoheshin prej kohësh.

Shumë dëshmi të tjera lidhin vdekjen e vajzës me një festë me bazë droge dhe seksi nga persona të lidhura me Vatikanin dhe disa ambasada të huaja. Sipas tyre, eshtrat e saj por edhe të disa vajzave të tjera të zhdukura janë fshehur ende në disa varrë monumentale që i përkasin Vatikanit.

Dje u krye kërkimi i fundit, në varrezat gjermane në Vatikan, ku dy varre që i përkisnin dy grave aristokrate u hapën pas disa sinjalizimeve. Dhe Forcat e rendit, por dhe familjarët e Orlandit që ishin të pranishëm, mbetën sërish pa fjalë nga një tjetër mister. Varret ishin totalisht bosh, nuk kishte asnjë trup brenda tyre, as të vajzës as të aristokrates të cilës i kushtohej varri. Madje, njëri prej varreve ishte në të vërtetë hyrja e një dhome e gjatë rreth 4 metra, ekzistenca e së cilës nuk dihej, ashtu si dhe arsyeja e ndërtimit. Misteri i Emanuelës vazhdon.