Aktualitet Hapet gara për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, afati i aplikimit

Hapet gara për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, afati i aplikimit

Gjykata e Lartë ka njoftuar hapjen e vakancës për ILD, garë e cila do të vijojë deri me datë 20 mars. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do t’i dorëzojë pesë kandidatura Kuvendit, ndërsa fton të gjithë personat që plotësojnë kushtet që të marrin pjesë në garë.

Pas shqyrtimit, do t’i dërgohen Kuvendit të Shqipërisë pesë emra për të zgjedhur Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Fituesit i duhen 84 vota në Kuvend, por nëse nuk arrihet numri i duhur i votave duke pasur parasysh situatën aktuale në Kuvend, pas dorëheqjes së opozitës, atëherë fitues shpallet kandidati i renditur i pari në listë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Për të kandiduar për këtë pozicion vakant, kandidati duhet të paraqesë:

– jetëshkrimin e përditësuar, përfshirë adresën postare dhe elektronike, si dhe numër telefoni;

– fotokopje të kartës së identitetit;

– deklaratë personale motivimi, ku shpjegon arsyen e kandidimit dhe objektivat që synon të ndjekë nëse emërohet;

– dokumentacionin shoqërues nëpërmjet të cilit vërteton përmbushjen e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenin 147/d të Kushtetutës dhe në nenin 199 të ligjit nr. 115/2016;

– formularin e aplikimit të plotësuar “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e Ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Ky formular gjendet i publikuar në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në pjesën e posaçme për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi;

– formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Ky formular gjendet i publikuar në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në pjesën e posaçme për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.