Ekonomi Hapet gara për ndërtimin e aeroportit të Sarandës, Balluku: Do presë 1...

Hapet gara për ndërtimin e aeroportit të Sarandës, Balluku: Do presë 1 milion vizitorë

Është hapur sot gara për ndërtimin e aeroportit sezonal të Sarandës. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku se gara do të jetë e hapur nga data 2 gusht deri në datën 23 shtator 2021 dhe aktive në faqen e ministrisë, duke u dhënë mundësi.

“Ky projekt dhe kjo garë do të jetë e hapur dhe aktive në faqen tonë nga data 2 gusht deri në 23 shtator 2021 duke u dhënë mundësi kompanive vendase dhe të huaja, për të përpunuar të gjithë dokumentacionin dhe aplikuar sipas kritereve ligjore. Investitorët do të kenë ketë suportin total”.

Sipas Ballukut procedura për ndërtimin e këtij aeroporti është më e lirë, pasi shteti nuk ofron garanci financiare, por do të jetë një investim privat. Balluku theksoi se pas ndërtimit të këtij aeroporti priten 1 milion vizitorë, ndërsa skeptikëve iu tha që zhvillimi i aviacionit civil do t’i japë zhvillim ekonomik vendit.

“Aeroporti është një procedurë më e lehtë se shteti nuk ka involvim direkt, është procedurë e lirë. Ne si shtet nuk ofrojmë garanci financiare, do të jetë investim privat i kuotuar në shifrën 37 milionë. Për skeptikët: aeroporti i Sarandës do t’i shtohet kësaj kurore infrastrukturore ajrore se zhvillimi i Aviacionit Civil është kolonë për zhvillimin e vendit. Edhe ky proces do të jetë i suksesshëm. Zona e Sarandës vitet e fundit ka patur ekspansion në turizëm për shkak të fluksit dhe infrastrukturës së zonës.  Në 3-4 vite presim mbi 1 milion pasagjerë”.

Ndërtimi i aeroportit të Sarandës i përket kategorisë 3 C me një gjatësi prej 2200 metra, ndërkohë që janë marrë masat edhe për shpronësimin, ku aeroporti prek dy zona kadastrale.