Bota Hapi i rrallë i Pekinit/ Kush është Han Zheng, zëvendëspresidenti kinez që...

Hapi i rrallë i Pekinit/ Kush është Han Zheng, zëvendëspresidenti kinez që merr pjesë në inaugurimin e Trump

Udhëheqësi kinez Xi Jinping mund të mos e ketë pranuar personalisht ftesën e presidentit të zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump për inaugurimin e tij, por Pekini ka ndërmarrë hapin e rrallë për të dërguar një zyrtar të lartë për t’iu bashkuar ceremonisë së betimit në Uashington.

Zëvendëspresidenti kinez Han Zheng pritet të marrë pjesë në inaugurimin e të hënës pas takimit me zëvendës presidentin e ardhshëm të SHBA-ve, JD Vance të dielën, në një udhëtim që vëzhguesit thonë se është një gjest domethënës – por potencialisht i rrezikshëm – i vullnetit të mirë.

Kjo, pasi Pekin-i duket të shmangë fërkimet e mëdha me Trump dhe kabinetin e tij të ardhshëm me “skifterë kinezë” (dikush që ka një politikë agresive në lidhje me Kinën).

Ndërsa Han është zyrtari më i lartë kinez që ka marrë pjesë në një inaugurim në SHBA, pozicioni i tij i zëvendëspresidentit është kryesisht simbolik brenda sistemit politik të Kinës.

Autoriteti i vërtetë i takon Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të fuqishme të Partisë Komuniste në pushtet, nga i cili Han doli në pension në vitin 2022.

Por dërgimi i një zyrtari të profilit të lartë – dhe një që ka përfaqësuar më parë Xi në ngjarje ndërkombëtare, përfshirë kurorëzimin e mbretit të Britanisë Charles III – sinjalizon interesin e Pekinit për një rivendosje të marrëdhënieve të tensionuara midis SHBA-ve dhe Kinës, thonë vëzhguesit.

Ardhja e Han-it në SHBA pason një telefonatë mes Xi dhe Trump të premten, ku udhëheqësi kinez e uroi Trumpin për rizgjedhjen e tij dhe bëri thirrje për një fillim të ri të marrëdhënieve.