Kosova Haradinaj: Bisedimet me Serbinë dolën nga binarët me diskutimet për shkëmbim territoresh

Haradinaj: Bisedimet me Serbinë dolën nga binarët me diskutimet për shkëmbim territoresh

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të mërkurën se bisedimet me Serbinë dolën nga binarët kur shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, lejoi diskutimet për shkëmbim territoresh.

Ai ju kundërvu zonjës Mogherini e cila sërish bëri thirrje për anulimin e tarifave ndaj mallrave serbe, gjatë një fjalimi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Zonja Mogherini tha se në ditën kur tarifat anulohen, do të organizojë menjëherë një takim për bisedime për të arritur një marrëveshje ligjore që duhet të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

​“Siç e dini, personalisht e kam ndërmjetësuar bisedimet, por ato nuk më përkasin mua, as Bashkimit Evropian dhe asnjëri përreth kësaj tryeze. Bisedimet u takojnë palëve dhe është në dorën e tyre të gjejnë një marrëveshje që do të ishte e pranueshme dhe e përshtatshme për të dyja palët. Në të njëjtën kohë, marrëveshja përfundimtare duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe duhet të mbështetët nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara”, tha zonja Mogherini.

Por, kryeministrit i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një postim ne rrjetet sociale, tha se bisedimet nuk janë ndërprerë për shkak të tarifave dhe vazhdimi i tyre nuk duhet të lidhet me to.

“Pas deklaratave të djeshme të Federica Mogherinit, se tarifat duhet të hiqen që të vazhdojë dialogu, unë ua kujtoj të gjithë vendimmarrësve se dialogu ka dalë nga binarët shumë kohë para se të vendosej tarifa dhe kjo ka ndodhur kur përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të Jashtme ka lejuar që në këtë dialog jotransparent të diskutohet për ndërrim territoresh dhe me tolerimin e moszbatimit të marrëveshjeve të arritura. Këto janë arsyet se pse dialogu është ndalur”, shkroi kryeministri Haradinaj.

Zyrtarë të lartë amerikanë dhe evropianë kanë shtuar trysninë ndaj kryeministrit Haradinaj për pezullimin e tarifave me të cilat Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve.

Refuzimi i qeverisë së Kosovës për të pezulluar tarifat ka çuar në përçarje të brendshme politike për shkak të drojës për dëmtimin e marrëdhënieve të Kosovës me aleatet kryesor perëndimorë.