Kosova Haradinaj, letër të hapur për Kurtin: Mos e hiq taksën, kujto sakrificën

Haradinaj, letër të hapur për Kurtin: Mos e hiq taksën, kujto sakrificën

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj i ka dërguar një letër të hapur pasuesit të tij në postin e kreut të ekzekutivit të Kosovës, Albin Kurti, duke i kërkuar që të mos heqë taksën me 100% të vlerës së mallrave që vijnë nga Serbia.

“Para pak ditësh të telefonova për të uruar postin e Kryeministrit. Sot po të shkruaj për diçka tjetër. Bashkë me popullin e Kosovës, ti ke sakrifikuar shumë. Ke rënë në burgje e sfida, por ke qëndruar stoikisht në atë që beson. Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje me vetëmohim të pashoq të kanë qëndruar besnikë në kauzën tënde. Ne mund të mos pajtohemi për shumë gjëra të politikës ditore, por sakrificën gjithmonë ta kam njohur. Për shkak të kësaj sakrifice dua që personalisht të lutem të mos e largosh taksën ndaj Serbisë”, shkruan Haradinaj duke i kujtuar Kurtit ditët e burgut.

“Albin, mos e lejo tregun e fitimit të mbi 400 milionë eurove për Serbinë, shtetin i cili të ka rrahur e të ka torturuar. Shtetin, që me paratë e popullit të Kosovës blenë armë në Rusi. Të lutem, mos e kamuflo këtë vendim sovran me terme të mjegullta siç është “reciprociteti”.

Mos e hiq taksën Albin. Mos u tërhiq për disa poena të përkohshëm që mund t’i fitosh nga bashkësia ndërkombëtare. Miku që është mik i vërtetë të do e të ndihmon me lavd, por edhe me kritika. Nëse nuk jemi të zotët e vetes nuk na do as miku.

Rikonsideroje vendimin Albin. Ne mund të vazhdojmë të mos pajtohemi. Për këto mospajtime sovrani ka dhënë verdiktin më 6 tetor, por kjo është një temë më e madhe se sa një grusht vota.

Albin, ne të dy kemi kaluar nëpër rrugë të vështira. Ne garojmë dhe do të vazhdojmë garën politike. Nuk kemi arritur deri këtu ku jemi si Kosovë me taktizime të përkohshme, por me sakrificë e qëndrueshmëri. Ne kundërshtim të Serbisë duhet të jemi bashkë deri në njohje reciproke e jo të jesh për një “reciprocitet” pa njohje”“, shkruan Haradinaj.