Kosova Haradinaj: Nga Thaçi, Vucic dhe Mogherini, dialogu për Kosovën kaloi te Merkel...

Haradinaj: Nga Thaçi, Vucic dhe Mogherini, dialogu për Kosovën kaloi te Merkel dhe Macron

Ramush Haradinaj ia njeh si meritë vetes faktin që dialogun për normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë e ka kaluar në një nivel më të lartë, në tavolinën e Angela Mekel dhe Emmanuel Macron.

Gjatë një tubimi në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, kryetari i AAK, tha se kishte arritur ta ndalte dialogun që sipas tij po shkonte në drejtimin e gabuar për Kosovën, ndërsa nuk nguroi të kritikonte përsëri Shefen e BE për Politikat e Jashtme, Federica Mogherini. “Ishte e rëndësishme, ju siguroj për këtë, që të ndalej dialogu i zonjës Mogherini. Jo që ta merrja unë, por duhej ndalur, sepse ai dialog ishte në drejtimin e gabuar, jo transparent me rreziqe për Kosovën”, tha Haradinaj nga Istogu.

“Për fat, merrni deklaratat e mia prej nisjes së qeverisë dhe pikërisht atë që kam thënë pikë për pikë ka ndodhur, është ndalur dialogu i zonjës Mogherini, i është hequr edhe zotit Thaçi dhe zotit Vucic dhe është çuar në tavolinën e Kancerlares Merkel dhe Presidentit Macron. Nuk ishte e lehtë të arrihej kjo, madje nuk do të kishte ndodhur pa mirëkuptimin e Shteteve të Bashkuara, pa përkrahjen e tyre. Pra, nëse dikush ka pasur dilema se a e lejon Kosova ndarjen mendoj që jo, të gjithë e kanë marrë vesh se në Kosovë nuk mund të ndodhë ndarja”, shtoi Haradinaj.