Bota Haradinaj shpalos kushtet për heqjen tarifave ndaj Serbisë

Haradinaj shpalos kushtet për heqjen tarifave ndaj Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vendosur disa kushte për heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe, për anulimin e të cilave është vënë nën trysninë perëndimore.

Në një dokument të publikuar në faqen e tij në facebook, kryeministri thekson se u ka dërguar një dokument ambasadorëve të pesë vendeve kryesore perëndimore dhe përfaqësueses së Bashkimit Evropian, në të cilin thekson se qeveria e tij do të pezullojë menjëherë tarifën në rast se plotësohen disa rrethana, duke filluar nga organizimi i një konference ndërkombëtare me qëllim të arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të pazgjidhura ndërmjet dy vendeve. Konferenca, shkruan ai, duhet të fillojë sa më parë që është e mundur dhe duhet të përfundojë brenda 14 ditëve.

Në dokument thuhet se “Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, duhet do të japin zotime publike dhe do të garantojnë që në Konferencë nuk do të ketë: Çfarëdo rivendosje të kufijve ekzistues të Kosovës, ose ndarje të Kosovës, ose shkëmbime territoriale të çfarëdo natyre; dhënie të kompetencave ekzekutive të çfarëdo forme për asociacionin e komunave serbe në Kosovë ose ndonjë marrëveshje tjetër që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës; masa të çfarëdo natyre të bazuar në koncesione që shkojnë para datës 17 shkurt 2008”.

Në dokument thuhet se “BE-ja duhet të jap zotime shtesë publike dhe do të garantojë se: do të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës para fillimit të Konferencës; do të zbatohet dhe do të jetë plotësisht funksionale Marrëveshja për Energji e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë para fillimit të Konferencës”.

Në dokument kërkohet edhe vërtetimi se “Serbia ka larguar të gjitha barrierat jo-tarifore ndaj lëvizjes së mallrave nga Kosova, si dhe të gjitha kufizimeve të paligjshme në tregtinë e shërbimeve dhe lëvizjen e njerëzve nga Kosova në Serbi. Presidenti, Kryeministri ose Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë konfirmojnë publikisht se janë ndaluar në mënyrë permanente të gjitha politikat dhe veprimet e çfarëdo lloji të drejtuara kundër aspiratave të Kosovës si shtet sovran qoftë nëse ato aplikohen në nivel lokal, rajonal apo ndërkombëtar”.

Në dokument theksohet se “tarifa do të ri-vendoset menjëherë nëse Konferenca nuk përfundon me një marrëveshje gjithëpërfshirëse të detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron, ndër të tjera, njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Tarifa do të ri-vendoset në një datë të mëvonshme nëse nuk arrihet të zbatohet marrëveshja gjithëpërfshirëse e detyrueshme e arritur në Konferencë”.

Dokumenti pasoi thirrjet e së premtes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pezullimin e menjëhershëm të tarifës në importet nga Serbia dhe Bosnja si një masë e nevojshme për të rimëkëmbur procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.