Ekonomi Hekurudha Shqipëri-Greqi, nis studimi i fizibilitetit: Do të jetë 130 kilometra e...

Hekurudha Shqipëri-Greqi, nis studimi i fizibilitetit: Do të jetë 130 kilometra e gjatë

Projekti i ndërtimit të një hekurudhe të përbashkët mes Shqipërisë dhe Greqisë daton që në vitin 1991. 30 vjet më pas projekti për ndërtimin e një linje hekurudhore Shqipëri-Greqi duket se po hedh hapa konkretë, duke qenë se Gazeta Zyrtare e Bashkimit Evropian publikoi Deklaratën e Procedurës së Hapur për Kontratën e Shërbimit për zbatimin e vlerësimit dhe përzgjedhjes së investimeve.

Bazuar në këtë projekt, po bëhen studimet e nevojshme për ndërtimin e linjës së munguar midis dy vendeve.

Ky projekt synon të zhvillojë një plan të përbashkët strategjik investimi për lidhjen e Greqisë dhe Shqipërisë, përmes një linje të re hekurudhore nga Krystalopigi deri në Pogradec, me një gjatësi totale prej rreth 130 km.

Më tej lidhja hekurudhore vazhdon me rrjetin ekzistues në Shqipëri dhe atë në Greqi duke bërë të mundur që lëvizjet të kryhen në të gjitha zonat që dy vendet mbulojnë me hekurudha.

Shqipëria do të ndërtojë 70 kilometra hekurudhë, pasi do të ketë dhe një degëzim nga Ieropigi në Korçë, ndërsa Greqia 150 kilometra. Sipas studimeve paraprake, ndërtimi i saj mendohet të kushtojë 700 milionë euro, 100 për Shqipërinë dhe 600 për Greqinë.

Të dy shtetet presin të marrin financimin për ndërtimin e veprës nga fondet e Bashkimit Europian. Kjo linjë hekurudhore do të jetë e para që lidh Shqipërinë me një vend të BE-së.