Kulturë “Hënëza ime” – Cikël poetik nga Sokrat Habilaj

“Hënëza ime” – Cikël poetik nga Sokrat Habilaj

1-HËNËZA IME

Unë i mendova gjërat më thjeshtë,
Ndërsa u shfaqe si një imazh hëne.
Po më pas, ti s’do ta kishe të lehtë,
Të më merrje atje, në botën tënde.

Duhet ta dish se po të vij, atje lart,
Kam huqe tokësore, e s’di ku t’i lë.
E me hënën do sillem, si me gratë,
Do i flas pa lidhje, nga malli për të.

Dhe yjeve pa dashje u prek sedrën,
Ndoshta për mua do ndizej sherri.
Se hëna që kishin ua mbylli derën,
E mori një, që nuk dihet nga erdhi.

Ti më thua:-Eja lart me çdo kusht,
Edhe po të vriteshin yjet me thika,
I shtrirë mbi pllajën tënde të butë,
Të të mësoja trille të botës ku ika.

Natën e parë, njëlloj si këtu poshtë,
Do të rrëshqisja vellon në shpatullë.
Mos duhet të të pyesja:-Erdha kot?
Se gishtat do preknin ca linja akull.

Ka kohë që hëna, s’më sheh së largu,
Se m’u kthye në grua, duke zbritur.
E kur e kam këtu, prej mishi e gjaku,
Të kërkoj lart? Ende s’kam lajthitur!

2-UNË DHE TI

Mbi ne, rëndon i njëjti pellg reshë,
E të njëjtin trishtim pikon si mërzi.
Trishtimi s’di të zgjedhë mes nesh,
Po ndryshe unë i trishtë, ndryshe ti.

Në sytë tanë, po të njëjtat zgavra,
Ku loti shtrydhet atje, po njëlloj.
Ndërsa pres që të lotosh ti e para,
E qara për mua është bërë si lojë.

Ky pellg reshë është për ne të dy,
E lotët duhet t’i fshehim bashkë.
Ti e mbanë fjalën e s’ke lot në sy,
Unë bëj shpikje t’i nxjerrë jashtë.

E mira ime,e mirë dhe në dhimbje,
Që mbytë dhimbjet, pa bërë:-Ah!
Ndoshta qeshë me zgjedhjen time,
Po dhimbjet s’i mbaj dot në krah.

E kur ti lotët brenda shpirtit i terë,
Mua duket më ka mundur e keqja.
Që s’rri pa ndarë lotët me të tjerë,
Të duket e bukur që thur vjersha?

3- I TRISHTË

Jam më i trishtë kur s’kuptoni asgjë,
Po mos më pyesni ku e mora plagën.
Unë edhe të dua, s’ju flas dot për të,
Trishtimi është gulç që mbytë fjalën.

Mos u lodhni me mua, i bini shkurt,
Kështu e kap trishtimi çast pas çasti.
Pse duhet të dini, a ndihem ngushtë,
Që s’braktis trishtimin sa vjen rasti!?

Po më mirë më rrini larg, të heshtur,
Se të filloni të bëni pa lidhje pyetje.
Njëlloj sikur të pyesni një të vdekur,
A të bezdis kubeja që ke mbi vete?

4-PAKT

Tani kemi të bukura dhe heshtjet,
Jo se na është zbehur malli i parë.
Po pasi i firmosëm marrëveshjet,
S’kemi shumë gjëra për të ndarë.

Qëllimisht s’u morëm me hollësi,
Sa do më duash, sa do të dua unë.
Fundja le të të dua unë ty pa kufi,
Në më do më pak, s’prishet punë.

As për grindjet s’vumë ndonjë cak,
Ku të thoshim:-S’shtyhet më tutje!
Fundja ti, m’u grind dhe pa shkak,
Di vet si e kthej sherrin në puthje.

Unë them të vinim një pikë shtesë,
Se ai që s’e dredhë është veç guri.
Nëse trishtimet s’i ndajmë në mes,
Do iki. Ndodhë që ikën dhe burri.

Nëse s’i ndajmë në mes, unë do iki,
Jo të ndaj trishtimin me dikë tjetër.
As do ngre kioskë ku shitet shpirti,
Trishtimin se kam as pak, as tepër.

Do iki duke të dashur deri në kockë,
Mbase i shtrirë nën një pirg me dhè.
Ku për trishtimin nuk duhet shtojcë,
Edhe po u derdhë mbi mua si rrëke!

5-VJESHTË

Këtu njerëzit çapiten kot më kot,
Nën pemët që i zhveshi vjeshta.
Si për ta bërë imazhin më idiot,
Gjysma e tyre gërvisht vjersha.

Këtu gjysma grindet me shamatë,
E fjalët gremisin në çast, si fletët.
Si për ta bërë imazhin më bajatë,
Gjysma shet dëngla: “Ne poetët”!

Këtu ka dhe ligje për çdo prapësi,
Stop duhani!Stop…Stop pa fund!
Si për ta bërë imazhin dhe më zi,
Për vjershat s’ka njoftim askund.

Nëse kjo stinë lihej ashtu si ish’
Ajo do ngjasonte e gjitha si stof.
Si për ta kthyer basmë çengish,
Vjeshtës i veshin ndonjë strofë.

Po vjeshta s’ka nevojë për penel,
Dhe që baltosjet e saj, të ndalen.
Gjysme tjetër i duhet një tabelë:
“Dyqani mbyllet, vjershat falen”!

6- NË KOHË TË NDRYSHME

Dje vrisnin, veç ëndrrat ndoshta,
E për të thënë se s’ishin vrastarë.
Kursenin pjesën me mish e kocka,
Që skeletin të na tërhiqnin zvarrë.

Po sot, na vrasin mishin e kockën,
Kur me bukën e gojës ngrenë çark.
E thonë, mund të ëndërroni botën,
Po ëndrrat tona tani janë pa kafkë.

Dhe grindemi, kush dje vdiq i pari,
A dhe kush i dyti sot ja hoqi vetes.
Ne me ëndrrat, s’u pamë së gjalli,
Po ndoshta takohemi pas vdekjes.