Kryesore Heni Çili: Nuk jam viktimë e politikës! Deri në Strasburg për dëmshpërblim

Heni Çili: Nuk jam viktimë e politikës! Deri në Strasburg për dëmshpërblim

Henri Çili thotë se në çështjen “Lazarati”, për të cilën akuzohet për ndikim të paligjshëm tek gjyqtarët nuk është përfshirë në cilësinë e botuesit, apo pronarit të një universiteti privat, por si aksioner i një zyre ligjore, duke argumentuar se interesi i tij për këtë dosje është krejtësisht i ligjëruar.

“Unë jam i përfshirë në çështjen për të cilën dyshohem se kam shkelur ligjin, aspak në funksionet e mia si botues, si pronar i UET, por si ortak mazhoritar i një firme legale me një entitet juridik me vete, ku unë kam 75 % të aksioneve. Duke pasur një interes të ligjshëm, pra si ortak, pas opinioneve ligjore të avokatëve të mi, kam takuar, paranegociuar, negociuar, ndërmjetësuar me persona në funksion të kontratatave për shërbime juridike dhe konsulencash të tjera, që ofron çdo studio legale sipas ligjit”, deklaroi Çili.

Çili deklaron se është ndaluar me shkelje të rënda proceduriale dhe arrestimin e cilëson si krejtësisht të panevojshëm.

“Ditën e enjte në datën 27 shkurt unë dhe dy të punësuarit e mi, avokatët Betim Shkupi dhe Ilir Korbi jemi ndaluar përmes shkeljes të rëndë proceduralë të cilat avokatët e mi i kanë paraqitur profesionalisht pranë organeve përkatëse, kur nuk kisha pasur në jetën time asnjë precedent penal; nuk kisha asnjë rrezikshmëri për t’u larguar nga Shqipëria dhe nuk kisha asnjë mundësi për të prishur provat“, thotë ai.

Henri Çili është i bindur te pafajësia dhe thotë se do ta kërkojë atë përmes avokatëve të tij. Ai i hodhi poshtë akuzat e ngritura nga Prokuroria duke thënë se do të apelojë masën e marrë nga gjykata dhe do të kërkojë pafajësinë.

“Në përputhje me këto elementë avokatët e mi do të kërkojnë pafajësi dhe pas marrjes të pafajësisë sigurisht që do të kërkojnë dëmshpërblimin”, shton ai.

Dëmshpërblimi

Për fitimin e pafajësisë dhe marrjen e dëmshpërblimit, Çili paralajmëron se do t’i shkojë çështjes deri në Gjykatën e Strasburgut.

“Unë mendoj që në realizimin e të drejtave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, në procese të ndryshme gjyqësore në shkallët e ndryshme të gjyqësorit deri në Gjykatën e Strasburgut, komunikimi, publikimi dhe ndriçimi i të gjitha rrethanave të çështjeve, është jo vetëm ushtrim i lirisë e shprehjes, por media luan një rol shumë të rëndësishmen në gjetjen dhe vënien në vend të drejtësisë duke siguruar njëkohësisht dënimin e autorëve por dhe mos shkeljen e të drejtave të tyre. E gjitha në funksion të një misioni më madhor: dhënia e drejtësisë”, deklaron ai.

I keni premtuar ju vëllezërve Aliko se do liroheshin nga burgu?

Çdo zyrë apo studio ligjore ka qëllim tu japë për aq sa besohet klientëve të tyre dënimin sipas ligjit më minimal të mundshëm apo pafajësinë, kjo është pyetje absurde, që jo, nuk e kam premtuar këtë gjë, kam premtuar vendim të drejtë gjyqësor, profesional, shoqëruar me shoqatë komunikimi, e do të ishte risi.

A jeni ju viktimë e një procesi politik?

Nuk kam asnjë informacion që jam viktimë e një procesi politik. Është shumë mirë që çështja ka ardhur në SPAK, ku të paktën do ta shohim, kemi tepër besim në profesionalizimin, kompetencën dhe minimalisht kemi prokurorë ose gjykatës të vettuar. Jam i bindur për pafajësinë time dhe sistemi do ta konfirmojë këtë, sepse e gjitha ndërtohet mbi diçka që nuk ekziston. Kur një Gjykatë e Lartë nuk ekziston është absurde të mendohet ushtrimi i ndikimit tim. Është logjike të kërkohet përshpejtimi i çështjeve nga studiot ligjore. Por, unë nuk kam takuar askënd për asgjë. Unë do përpiqesha që ajo të ishte çështja e parë e Gjykatës së Lartë.

Ku bazohet dashakeqësia e akuzës për të ngritur akuza kaq të mëdha ndaj jush, që ju i hidhni poshtë?

Dy parime, ne dimë që drejtësia ka gabime të mëdha, deri te dënimet me vdekje. Pra, sistemi i gjithi mund të ndërtohet mbi një keqkuptim. Ju e dini tragjedinë e Shekspirit me shaminë e Desdemonës, cili është shkaku pres ta mësoj. Takimi me një zyrtar të drejtësisë nuk ekziston.

A i mori 30 mijë euro?

Teksa tha se nuk ka lidhur kontrata për shërbime dhe ishte ende në negociata me familjarët e të dënuarve përjetë Feti Yzeiraj dhe Arbjon Aliko, të dy me rekurs në Gjykatën e Lartë, Çili u përgjigj edhe për 30 mijë eurot që flitet se ai ka marrë nga familjarët.

“Unë deklarova në lidhje me fshehjen e të ardhurave, as kam marrë as kam kthyer para në lidhje me këtë çështje. Ishim në proces negociate. Çfarë janë këto shuma? Nënkuptojnë një diskutim të cilin nuk ka sens që të hymë në detaje çfarë është diskutuar. Çështja e parë është komplekse me 13 të dënuar, për kompleksitetin që ajo ka dhe vlerësimit të ekspertëve të mi, unë nuk jam profesionist i fushës, unë jam pronar mazhoritar i studios ligjore. Dhe kam të njëjtat tagra si avokatët e studios, deri në shkallën e tretë duhej të shkonin deri në një x kufi. Është një diskutim për një person, për 12, 13, totali i çështjeve të kësaj natyre, përshembull unë do të them një detaj, mendohet se janë kamionë me dokumente, çështja është komplekse me shumë elementë dhe persona. Kush e ka caktuar një kufi të kontratave? Askush, palët negociojnë”, tha Çili.