Bota Hetimi: Malta duhet të mbajë përgjegjësi për vrasjen e gazetares Daphne Caruana...

Hetimi: Malta duhet të mbajë përgjegjësi për vrasjen e gazetares Daphne Caruana Galizia

Qeveria e Maltës duhet të mbajë përgjegjësi për krijimin e një atmosfere pandëshkueshmërie që kontribuoi në vrasjen e gazetares Daphne Caruzana Galizia. Përfundimi vjen nga një raport i një hetimi të pavarur që nisi në dhjetor të vitit 2019 i cili është publikuar nga kryeministri maltez, Robert Abela.

“Prova të pakundërshtueshme provojnë se shteti nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në vrasje. Megjithatë, raporti nënvizon se shteti duhet të marrë përgjegjësi për mospërmbushjen e detyrimeve të veta sidomos në lidhje me qeverisjen dhe mbrojtjen e gazetarëve”, tha Abela në një konferencë për shtyp.

Hetimi është kryer nga tre gjyqtarë, njëri ende në detyrë dhe dy të tjerë në pension dhe në raport theksohet se: “Shteti duhet të mbajë përgjegjësi për vrasjen sepse krijoi një klimë pandëshkueshmërie të gjeneruar nga nivelet më të larta në zemër të administratës, brenda zyrës së Kryeministrit që si një oktapod u përhap në çdo entitet, si institucionet rregullatore dhe policia, duke çuar në kolapsin e sundimit të ligjit…Shteti nuk njohu siç duhej rreziqet imediate, përfshirë ato nga synimet kriminale në palëve të treta ndaj jetës së Galizias”.

Në dritën e gjetjeve të këtij raporti, kryeministri Abela ka kërkuar ndjesë ndaj familjarëve të gazetares së vrarë në vitin 2017, akt që provokoi reagime të mëdha në Europë dhe çoi në largimin nga skena politike të paraardhësit të kryeministrit aktual, Joseph Muscat. Vrasja e Daphne Caruana Galizia u komentua se kishte të bënte me hetimin prej saj të lidhjeve të qeverisë malteze me trafikun e refugjatëve dhe karburantit nga Libia, të dhëna që fillimisht u nxitën nga hetimet në Itali.