Bota Hetimi për shkarkim, Trump: Është një grusht shteti

Hetimi për shkarkim, Trump: Është një grusht shteti

Donald Trump e cilësoi një “grusht shteti” hetimin e nisur për shkarkimin e tij. ” Çdo ditë e më shumë po dal në përfundimin se ajo që po ndodh nuk është një hetim për shkarkim.

Ky është një grusht shteti i planifikuar për t’ia hequr fuqinë e popullit, të drejtën e tij për të votuar, lirinë e tij, amendametin e dytë të kushtetutës, fenë, ushtrinë, murin në kufi dhe të drejtat që ia ka dhënë zoti si qytetarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar presidenti amerikan në Twitter.

Reagimi i tij erdhi në kohën kur demokratët akuzuan edhe sekretarin e Shtetit Mike Pompeo se po bllokon përpjekjet e tyre për të mbledhur dokumente dhe intervistuar dëshmitarët.

Komisionet e Zbulimit, Mbikëqyrjes dhe Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve kishin kërkuar të dëgjonin të mërkurën dëshminë e ish-ambasadores amerikane në Ukrainë Marie Yovanovitch, por seanca u shty për javën tjetër. Ndërkohë të enjten përpara tyre pritet të dëshmojë ish-i dërguari amerikan në Ukrainë, Kurt Volker.

Këto zhvillime vijnë pas të dhënave të ofruara nga një informatorët që ankohej se Trumpi po kërkonte ndërhyrje të huaj në zgjedhjet e vitit 2020 duke pretenduar nga Ukraina që të hetonte kandidatin demokrat Joe Biden.