Sport Higuain me temperaturë, nuk luan Superkupën

Higuain me temperaturë, nuk luan Superkupën

Sapo ka nisur sfida e Superkupës së Italisë mes Milanit dhe Juventusit, që luhet në Jeddah të Arabisë Saudite, ndërsa është shuar një nga dilemat e mbrëmjes, ajo që lidhej me aktivizimin e Gonzalo Higuain në sfidën e sotme.

Kështu, sulmuesi argjentinas i kuqezinjve nuk do të jetë në fushë ndaj ish-skuadrës së tij, Juventusit, pasi siç raportojnë mediat italiane ka temperaturë dhe nuk mund të vihet në dispozicion të Gattusos.

Pikërisht për këtë arsye, Higuain mungoi edhe në foton zyrtare që futbollistët e Milanit bënë me autoritetet arabe, ndërsa nëpërmjet një postimi në Instagram shkroi “Bashkë ia dalim”, duke tentuar të karikojë shokët e skuadrës.

Gjithsesi mungesa e Higuain në mediat italiane është lexuar edhe si një divorc i sigurt i argjentinasit me Milanin, ndërsa tashmë pritet të mësohet vetëm klubi i tij i ardhshëm dhe marrëveshja të bëhet zyrtare.

Chelsea është skuadra që po këmbëngul për të transferuar futbollistin, pasi Maurizio Sarri nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për të pasur në dispozicion Higuain, me të cilin ka punuar gjatë kohës kur të dy ishin te Napoli. Sfida do të startojë në orën 18:30 dhe do të transmetohet live në ekranin e Supersport 2.