Sport Higuain nuk shënon më, kritikohet skema e Gattusos

Higuain nuk shënon më, kritikohet skema e Gattusos

Gonzalo Higuain nuk po kalon një periudhë të mirë dhe këtë e vërteton forma e tij, duke qenë se nuk ka shënuar prej më shumë se 1 muaji. Ndeshja e argjentinasit me Fiorentinën filloi në mënyrën më të mirë, me një kthim në mbrojtje duke i marrë dhe topin kundërshtarit.

Më pas, ndoshta edhe për shkak të problemeve fizike, pasi shpina e futbollistit nuk është ende siç duhet, “El Pipita” humbi shkëlqimin. I vetmi top në zonë gjatë gjithë takimit i erdhi në minutat e fundit, ku goditja e tij me kokë u prit nga portieri Lafont. Për të tetën sfidë radhazi, mes kampionatit dhe Europa League, Higuain nuk gjeti golin, një rekord negativ ky për të, që nga momenti i mbërritjes së tij në Itali.

Në fund të ndeshjes, gjithsesi, trajneri Gattuso mbrojti sulmuesin e tij, duke thënë se e gjithë skuadra po vuan dhe jo vetëm argjentinasi. Pyetjes në lidhje me një shkëmbim mes tij dhe Alvaro Moratas, tekniku kuqezi ju përgjigj se Higuain është lojtar i Milanit dhe për sa kohë të jetë i tillë, skuadra do të përpiqet që ai të jetë në kushte optimale në fushë.

Gattuso konsiderohet si një prej fajtorëve kryesorë për rendimentin e 31-vjeçarit, por dhe gjithë ekipit në ndeshjet e fundit, ku Milani i tij nuk ka shënuar asnjë gol në Serinë A. Tekniku kuqezi ka kaluar në skemën 4-4-2 në javët e fundit dhe përveç golave të Higuain, ka larguar shumë nga porta kundërshtare edhe lojtarë si Suso dhe Calhanoglu, të cilët kanë nxjerrë shpesh Milanin nga situata.