Sport Higuain për historinë, ndaj Milanit për golin e 100-të në Seria A

Higuain për historinë, ndaj Milanit për golin e 100-të në Seria A

Katër vjet kanë kaluar që nga 25 gushti 2013, një datë e cila pa debutimin në Seria A të Gonzalo Higuain. Atëherë, presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, disbursoi 40 milionë € te Real Madridi për sulmuesin argjentinas.

Që nga ajo ditë, nga ndeshja Napoli-Bolonja, e cila përfundoi 3-0 për blutë, “Pipita” ka bërë një rrugë të gjatë. Ka ndëshkuar shumë portierë, duke u kthyer në njëlloj terrori për ta.

Në kampionatin italian, Higuain ka shënuar 99 gola, çka do të thotë se ka rastin të rrumbullakosë shifrën 100 të shtunën, në orën 18:00, në ndeshjen e shumëpritur të “San Siro”, kundër Milanit. Një gol, i cili mund të ishte arritur tashmë në ndeshjen e fundit kundër SPAL, por VAR e prishi gëzimin e argjentinasit, teksa konstatoi një “offside”.

Kundër kuqezinjve, Higuain do të kenë mundësi për të hyrë në historinë e Seria A.

Ai do të luajë ndeshjen e 153-të në kampionatin italian, prej të cilave 104 ndeshje dhe 71 gola me fanellën e Napolit. Me fanellën e skuadrës napoletane arriti të shënojë golin e parë italian, më 31 gusht, në stadiumin “Bentegodi”, në fitoren 4-2 ndaj Chievo. Goli i tij i 50-të erdhi në fitoren 4-2, në “San Paolo”, në ndeshjen kundër Bolonjës, më 26 prill 2015, në të cilën argjentinasi shënoi dy gola.

Me Juventusin, në pritje për t’u përditësuar, llogaria e tij është: 28 gola në 48 ndeshje. Kritika që ka marrë në fillim të sezonit duket se janë shuar me kohë, një kujtim i venitur mund të kthehet në një realitet të ëmbël, që ka të ngjarë të bëhet edhe më i bukur të shtunën pasdite, kur “100” nuk do të jetë vetëm një numër i thjeshtë.