Kryesore “Himara”/ Berisha mbron marrëveshjen e detit. Rama: Mos u bëj më grek...

“Himara”/ Berisha mbron marrëveshjen e detit. Rama: Mos u bëj më grek se grekët

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas replikave të kreut të qeverisë Edi Rama dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha lidhur me praninë e Partisë Demokratike në Himarë ditën e mërkurë, teksa Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit shembi 22 objekte pa leje, në kuadër të fazës së dytë të rikualifikimit urban të qendrës së qytetit.

Berisha i është rikthyer sërish marrëveshjes së detit me Greqinë, duke thënë se janë përdorur para e korrupsion për rrëzimin nga Gjykata Kushtetuese të marrëveshjes së firmosur mes dy vendeve në vitin 2009, e cila sipas vendimit të kushtetueses integritetin territorial të Shqipërisë. “Përmende marrëveshjen e detit, do të them kaq: Bëre gjithçka me para dhe korrupsion”, tha Berisha duke akuzuar kryeministrin Edi Rama.

Kreu i qeverisë u përgjigj se Berisha po mbron marrëveshjen që i hiqte Shqipërisë një pjesë të territorit me firmë të ish-ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha ndërsa i cilësoi absurde akuzat për korrupsion dhe blerjen e gjyqtarëve të kushtetueses në rrëzimin e kësaj marrëveshje.

Sipas Ramës, Berisha i qëndron ende asaj marrëveshje dhe gjithçka është hartuar dhe punuar me bekimin e tij e të firmosur nga Basha, në atë kohë ministër i Jashtëm

Së pari më duhet t’i them Noriegës  se në Himarë po mbulon mafien me mafien, ndërsa përsa i përket patetizmit tënd dhe problemit me Greqinë ftoj shqiptarët të dëgjojnë këtu këtë zotëri (hap video në Ipad)

Së dyti përmende marrëveshjen e detit, do të them kaq. Bërë gjithçka me para dhe korrupsion, anulove një marrëveshje e cila në 1000 gjykata po të dalë në traktatin e detrave…”( i ndërpritet fjala)

Pas videos së shfaqur nga deputeti Sali Berisha, reagoi dhe kryeministri Edi Rama, duke shpjeguar se çfarë ishte në të vërtetë ajo video.

“Sali unë do isha shumë i lumtur sikur të dija greqisht, por nuk di greqisht si nuk di dhe shume gjuhë të tjera. Ajo që nxore si zbulim është fjala që unë kam bërë në një kongres të PASOK-ut për papunësinë në atë periudhë. Që të çohesh këtu dhe ti thuash tjetrit pse kam folur në një gjuhë tjetër, këtë mbaje vetë. Rëndësi ka që ato gjuhë që di nuk janë si ndërtim pa leje që ke ti.

The këtu që marrëveshjen e detit e paskam rrëzuar unë në Gjykatën Kushtetuese që e rrëzoi 9 me 0 në një vendim historik. Akuzë shumë e rëndë për atë gjykatë që me atë vendim ka marrë në mbrojtje interesin kombëtar dhe nuk ka marrë para dhe nuk ka bërë korrupsion. Rëndësi ka që shqiptarët ti qëndrojnë kësaj.

Nuk ka asnjë palë të tretë në këtë histori Sali. Nuk ka asnjë palë të tretë. Kur vjen puna te Shqipëria mos u bëj më grek se grekët, më turk se turqit”.

Replika ka vazhduar, dhe Sali Berisha iu kundërpërgjigj Ramës: Është një agresion mafioz ajo që bëhet në Himarë. Duhet të dini se ka patur një studim të njërës prej kompanive në botë, masterplan për Himarë dhe gjithë bregun sipas të cilit njollat e ndërtimit përcaktonte se ku gjeologjia nuk lejonte ndërtimin dhe ky studim përmbysi një studim të mëparshëm të partisë suaj. Çfarë bëri ky zotëria? Përmbysi studimin britanik dhe bëri studimin tjetër. Aty do ndërtojë tjetri, me radhë e me radhë dhe u vë hurin qytetarëve të Himarës.

Kryeministri Edi Rama: Qirje Saliu (perifrazim nga greqishtja, Zoti Saliu), fole këtu si gjithmonë nga havaja jote. S’ka lidhje fare masterplani. Këtu bëhet fjalë për një projekt urbanizimi për sheshin e Himarës, për të ndërtesën e re të Bashkisë së Himarës. Ngatërrove dy gjëra që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Unë nuk vij këtu me librin tënd të shpisë, siç vjen ti këtu. Ti e di shumë mirë, Shqipëria është nën akuzë sot nga fqinjët për shkelje të të drejtave të minoritetit në Himarë. Ajo që të takonte ty është që kur del këtu, mos flasësh nga Havaja, por të flasësh si ish-Kryeministër i Shqipërisë në 8 vjet.